Qindra persona sot kanë protestuar para objektit të Bankës Qendrore të Kosovës duke e kundërshtuar vendimin për rritjen e pagesës së sigurimit të automjeteve për 26%, raporton Zëri.info
Me pankartat, “vetura është nevojë dhe jo luks”, “ju na siguroni mos na varfëroni”, BQK mendo për neve”, protestuesit kërkuan që Banka Qendrore e Kosovës ta anulojë këtë vendim sepse në të kundërtën ata theksuan se nuk do të ndalen me protesta.
Agan Hajdarhoxha nga grupi “Marakli t’kerreve” i cili e ka organizuar këtë protestë tha se protesta është apolitike, individuale dhe nuk është në interes të askujt përveç interesit të qytetarëve të Kosovës.
“Kjo protestë nuk ka tendenca por është e qytetarëve të Kosovës nuk po kërkojmë lirimin e sigurimit të veturës por ta kthejë vendimin e vjetër siç ka qenë”, ka thënë ai.
Hajdarhoxha theksoi se Kosova paguan polisën e sigurimit më të shtrenjtën në rajon por me të përveç Shqipërisë asnjë shtet tjetër nuk ia njeh.
“Ne kërkojmë nga Banka Qendrore e Kosovës që ta pezullojë menjëherë vendimin që e ka marrë. Ne nuk do të ndalemi me protesta nëse nuk pezullohet ky vendim”, ka shtuar ai.
Ndër të tjera ata theksuan se janë të hapur të bisedojnë me guvernatorin e Bankës Qendrore. Ata shtuan se nëse vendimi i vjetër nuk kthehet ata do të protestojnë edhe duke i lënë veturat nëpër rrugë./ZËRI