Nesër, më 21 qershor 2025, me fillim nga ora 10:00, do të mbahet Provimi i Maturës Shtetërore në të gjitha komunat e vendit. Lajmin e ka bërë të ditur Ministria e Arsimit, Shkencës, Teknologjisë dhe Inovacionit (MAShTI), duke njoftuar se në këtë provim do të marrin pjesë 18.800 maturantë nga i gjithë vendi.
MAShTI ka siguruar se janë ndërmarrë të gjitha masat për një proces të qetë dhe korrekt, përfshirë angazhimin e trupave mbikëqyrës, ekspertëve të IT-së dhe ekipeve lëvizëse, që do të monitorojnë vazhdimisht rrjedhën e testimit.
Në njoftim, MAShTI i ka bërë thirrje maturantëve që të respektojnë rregullat e përcaktuara – veçanërisht ndalimin e telefonave dhe pajisjeve të tjera elektronike brenda qendrave të testimit. Ata që do të tentojnë të hyjnë me pajisje të tilla nuk do të lejohen të marrin pjesë në provim.
Gjithashtu, MAShTI ka bërë të ditur se hyrja në qendrat e testimit do të mbyllet në ora 10:00, dhe pas kësaj ore nuk do të lejohet hyrja e asnjë personi të paautorizuar deri në përfundimin e testit.
“Çdo përpjekje për të dëmtuar apo shkelur rregullat e përcaktuara do të trajtohet me masa të menjëhershme ligjore,” thuhet në njoftim në Facebook.
Rezultatet e provimit pritet të publikohen më së largu deri më 30 qershor 2025, ndërsa MAShTI ka uruar të gjithë maturantët për sukses në këtë fazë të rëndësishme të arsimit.