Partia Socialdemokrate ka kërkuar që të lirohen menjëherë kryetari i partisë, Dardan Molliqaj dhe aktivisti Adem Megjuani, të cilët u arrestuan dje lidhur me protestën e së shtunës që u mbajt kundër propozimit për shtrenjtim të rrymës, raporton Express.
Sipas PSD’së, Molliqajt nuk i është treguar fletëarresti para se të arrestohet dhe as në stacion të policisë. Arrestimin e tij, nga kjo parti e kanë quajtur politik.
Molliqaj u arrestua mbrëmë para se të hynte në studion e emisionit “Pressing”, ku ishte i ftuar për intervistë.
“Dardan Molliqaj nuk i është treguar fletëarresti para se të arrestohet dhe as në stacion të policisë. Asnjë ftesë për thirrje nuk i është dorëzuar Dardan Molliqajt sipas Procedurës së Kodit Penal. Dardani ka qenë në shtëpinë e tij dhe në zyrë. Ai ka vazhduar aktivitet e tij, takimet në qytet e konferencën për media në zyrë. Arrestimi i tij, me 60 policë, pak para emisionit televiziv, është politik. Pushteti dëshiron të hesht opozitën kritikuese”, thuhet në komunikatë.
Ndërkohë, për aktivistin Megjunai thonë se i është përgjigjur pozitivisht ftesës së pranuar nga policia dhe është paraqitur në stacion polcor, por se pavarësisht kësaj, atij i është shqiptuar masa e ndalimit për 48 orë.
“Ndërkohë, aktivisti Adem Megjuani iu përgjigj pozitivisht ftesës së pranuar nga policia dhe u paraqit në stacionin policor në kohën e caktuar sipas ftesës. Pavarësisht kësaj, ndaj tij u shqiptua masa e ndalimit prej 48 orëve. Kjo tregon që çështja nuk është aspak procedurale.
Qëllimi përfundimtar i një aksioni të tillë të arrestimit, me plot skandale e parregullsi është frikësimi. Por nuk frikësohemi, as nuk zbrapsemi”, thuhet në komunikatë.