Shkruan: Avni Rudaku
Drushitësit në Gjilan e Kosovë, për shumë vjet, shesin dru zjarri, pa dhënë dru për konsumatorët, për aq sa paguajnë. Secili shitës, duhet të ketë instrument matës për sasi, copë, pako. Edhe buka ka peshë, prandaj inspektorët gjobisin furrëtarët, që nuk e shesin bukën me peshën e vënë në shitje për bukëblerësit.
Njësoj pemëshitësit e perimeshitësit, shesin me kilogramë a copë, qumëshitësit me litër, e drushitësit, me metër kub, shesin drutë e zjarrit, për ngrohje rreth gjashtë muaj vjeshtë, dimër e pranverë. Deri kah muaji maj, mban thuajse ftohtë në Kosovë. Drushitësit gati se kurrë nuk shesin metrin, metër. I porosisni 10 metra dru, i paguani tash 50 euro për një metër dhe paguani rrafsh 500 euro, kurse ju realisht i merrni shtatë a tetë metra dru. Kurse ironia është se atij që i sharron dhe çan drutë, i thoni janë dhjetë metra, se nuk doni të hyni në gjynah!!!Në një shtet, drutë i shisnin me kilogramë dhe mashtrimi ndodhte duke i lagur paraprakisht me ujë, që të vinin sa më rëndë! Ndërsa te ne, i shesin me metër kub, por kurrë metri nuk vjen metër! Komuna e Gjilanit duhet të standardizojë dhe inspektojë shitjen e druve. Së pari, t’i detyrojë shitësit e druve, të mos mashtrojnë konsumatorët. Dy, t’i shesin me kuponë fiskalë. Tre, inspektorët komunalë t’i gjobisin drushitësit, nëse nuk i tregojnë saktë konsumatorëve, sa metra ua shesin atyre. Katër, të rregullohet një treg i druve në Gjilan, në vend të duhur dhe të ketë pista të standardizuara të matjeve, që konsumatorët të mos mashtrohen për metër të druve. Të ketë vende të shënjëzuara për pesë e dhjetë metra dru, si me peshoret që janë pilara!
Drushitësit janë tepër mendjemëdhenj, sidomos në krizë energjetike, dhe në kohë të rritjes disproporcionale të kërkesës me ofertën. Nuk i blini, mbesni pa to, ndërsa drushitësit tregun e kanë të sigurt, sepse veç a po kanë dru, po u shkuakan flakë në treg! I shesin shpejt. Nuk kanë dru, sa u kërkohet, prandaj sillen me arrogancë me drublerësit, prandaj komuna e shteti duhen të intervenojnë, rregullojnë, inspektojnë, gjobisin dhe mbrojnë konsumatorët.
Nëse komuna ndërhyn, drublerësit mbrohen, por mbrohen edhe drushitësit. Drushitësit do të shkojnë sigurt në xhehenem, sepse ky i fundit është sinonim me zjarrin. Dhe duke mos e shitur metrin, metër, për konsumatorët, të gjitha drutë që i marrin për vete, e u takojnë drublerësve, drushitësit do t’i kenë për xhehenem. Ato dru nuk u takojnë atyre dhe do të kallen me to në xhehenem, metaforikisht! Prandaj, le t’i mbrojmë drushitësit nga xhehenemi, duke inspektuar metrin e druve të shitura për ngrohje! Në të kundërtën, jap fetva: do të shkojnë në xhehenem me drutë tona! Kurse unë si qenie njerëzore, dua t’i shoh në xhenet!!!