Besnik Shala, i njohur si një nga asamblistët më aktivë në Kuvendin Komunal të Gjilanit gjatë legjislaturës së kaluar, ka dëshmuar se politika bëhet në terren, me qytetarët dhe për qytetarët. Për katër vite radhazi, ai ka ngritur tema të rëndësishme, ka takuar komunitetin në çdo lagje e fshat, ka prekur problemet reale të njerëzve dhe ka qenë në krah të tyre pa u ndalur asnjëherë.
Ajo që e veçon Besnikun është qasja e tij konkrete ndaj sfidave, jo vetëm që i identifikon problemet, por është i pranishëm atje ku ato ndodhin. Për të, terreni nuk është zgjedhje, por mënyra e vetme për të kuptuar drejt dhe për të vepruar drejt. Këtë e ka dëshmuar me punën e tij të pandalshme në Gjilan, duke refuzuar çdo lloj kompromisi me të keqen dhe duke i dhënë prioritet transparencës, korrektësisë dhe punës.
Sot, në një kohë kur Kuvendit të Kosovës i nevojiten zëra të rinj, vizionarë dhe të guximshëm, Besnik Shala përfaqëson pikërisht energjinë e re që politika duhet të adoptojë. Ai vjen me përvojë të drejtpërdrejtë me qytetarët, me njohje të thellë të problemeve të Anamoravës dhe me vullnet të padiskutueshëm për të mbrojtur interesin publik.
Duke garuar në listën e Lëvizjes Vetëvendosje në këto zgjedhje, Shala synon ta çojë punën e tij në një nivel më të lartë – nga një tribunë komunale, në foltoren e Kuvendit të Kosovës. Besimi i tij është se aty zëri i tij do të ketë jehonë edhe më të fuqishme për çështjet e Anamoravës dhe për temat e mëdha që prekin qytetarët në gjithë vendin.
Në një skenë politike që gjithnjë e më shumë kërkon integritet, energji dhe afërsi me popullin, Besnik Shala përfaqëson profilin e politikanit që sjell shpresë dhe rezultate. Dhe pikërisht për këtë, Kuvendit të Kosovës i duhet një deputet si ai./Radio Star/

