Shkruan: Avni Rudaku
Në vitin 2013, Kuvendi i Kosovës miratoi Ligjin për Kontrollin e Duhanit. Pas disa vjetësh, në vitin 2022, sërish u ndryshua dhe u plotësua, por vetëm nuk u zbatua. Ishte një periudhë e shkurtër së voni kur filloi të zbatohej, por ishte shumë shkurtër, ca muaj dhe sërish filloi të mos zbatohet për çdo ditë.
Pse nuk zbatohet?
1. Nuk ka vullnet politik për të acaruar bizneset dhe duhanpirësit me shumicë.
2. Edhe vetë zbatuesit e ligjit e shkelin ligjin kur bëhet fjalë për tymosjen.
3. Ka fare pak inspektorë dhe fare pak monitorim sistematik, por mbikëqyrje periodike, me fushata e teke.
4. Miqësia e pronarëve me inspektorët dhe për shkak të vendit të vogël, merret vesh ndonjë periudhë e inspektimit.
5. Kultura sociale e tymosjes së duhanit është kudo e përhapur, ndonëse ka ndryshuar në vetura e shtëpi private. Dikur më shumë brengoseshin që perdet po “sarihen” sesa shëndeti i foshnjave. Më pas, çiftet e reja për shkak të fëmijëve, nuk lejonin as mysafirët për tymosje brenda shtëpisë e banesës dhe nuk çanin kokën për hatërmbetje. Dikur mysafirët hidhëroheshin nëse kishin kufizime brenda. Por kultura në bare e restorante, nuk ka ndryshuar.
6. Mungesa e zbatimit në çdo lokal, klientët iknin nga disa lokale dhe shkonin ku kishte liri të tymosjes. Më pas, prishej zbatimi kudo. Ja zbatohet kudo, ja hiç.
7. Më parë pronarët pranojnë disa gjoba në disa raste inspektimi, se t’i trembin klientët.
8. Mungesa e gatishmërisë së pronarëve për të investuar në lokale për shëndetin publik, qoftë për ndarjen e hapësirës, qoftë për ventilatorë. Ndonjëherë i sheh ventilatorët, por nuk i mirëmbajnë. Prishen dhe nuk i riparojnë. Ose nuk i fusin në funksion për të mos shpenzuar. Çdo lokal pa ventilim, ose funksionalizim sistematik, duhet gjoba ekstra. Tepër më djegin sytë nga tymi në lokale.
9. Zakonisht edhe kur është zbatuar, më shumë dënohet pronari, ndërsa ligji duhet të jetë i rreptë edhe për pronarin, edhe për klientin me tabëll të makiatos si taketuke, madje edhe për kamerierin.
10. Për shkak të shkeljeve të tjera edhe më të mëdha të ligjeve, kjo për duhanin, duket “shkelje sportive”.
11. Vetëdija e dobët për shëndetin publik.
12. Mungesa e leximit e bën shoqërinë edhe më shumë cinike për shkelje të Ligjit për Kontrollin e Duhanit.
13. Në vjeshtë e dimër, zbatimi bëhet edhe më i vështirë.
14. Çdo qeveri sillet sikur e zbaton ligjin, por asnjëra nuk e zbaton, përfshirë edhe populizmin e Qeverisë Kurti.
15. Ruajtja e stabilitetit social me kafe e duhan, është mentalitet i pushtetarëve. Sa ma pak acarim të qytetarëve, për t’i menaxhuar frustrimet me mungesë të gjërave bazike, si reduktimet e rrymës, ujit të pijshëm, çmimet ekstrem të larta për shportën familjare. Më së voni është rritur çmimi për makiato. Ajo është katarsisi i halleve.
16. Varësia ndaj nikotinës është e lartë dhe askujt nuk i bën përshtypje zbatimi i ligjit kundër duhanit.
17. Duhani po tymoset edhe grupmosha e re dhe askush nuk sensibilizon për duhan, për shkak edhe të abuzimit më të rëndë me droga. Shitësit e kiosqeve a dyqaneve, pesë pare nuk i japin që ua shesin pakon me cigare, edhe nën 18 vjeç. “Hajt se e ka çu prindi, s’e ka për veti” dhe mbyllet me shaka turpi!
18. Duhani që nuk përmendet bukvalisht në libra fetarë, si alkooli, e ka rritur edhe tolerancën religjioze ndaj duhanit, pavarësisht parimit se “çdo gjë e dëmshme për trupin dhe mendjen, është haram”. Pavarësisht shtetit laik a sekular, feja ka një ndikim në mendësinë e shoqërisë sonë. Krahasuar me të gjitha shtetet e rajonit dhe Evropës, kosovarët e konsumojnë më së paku alkoolin. Nuk mund të thuhet se nuk ka pasur efekt edhe feja, ndonëse kalimi në modernizëm, ka shtuar konsumimin e alkoolit edhe te grupmoshat e reja, edhe te vajzat e gratë, siç nuk ka qenë dikur as për tolerancën për duhanin nga këto kategori.
19. Mungesa e aktiviteteve të bollshme fizike, kulturore, prania intensive në internet, e ka shtuar kohën e lirë për duhan. Pak ecje, pak sport, pak hobe, pak kulturë leximi dhe njerëzit duan t’i kalojnë hallet e tyre me duhan, përfshirë edhe tolerancën për mungesë zbatimi ligjor kundër këtij vesi.
20. Nuk ka sinjalizues e denoncues për shkelje.
Ka edhe arsye të tjera, por këto janë vetëm disa nga faktorët e mungesës së zbatimit të ligjit. Po e mbyll me një shaka: “I thotë baba djalit: Po t’shoh t’u pi duhan, veç me ba me ni që po e pi, t’kallxoj unë ty!”/Radio Star/










