Premtimet e partive politike ndaj qytetarëve të Kosovës për çështje dhe fusha të ndryshme të jetës në vend, tashmë ka javë që kanë nisur, në një lloj para-fushate zgjedhore për zgjedhjet e parakohshme parlamentare të 6 tetorit, por deri më tash, asnjë nga ato nuk e ka përmendur liberalizimin e vizave, si premtim që mund të realizohet.
Kështu vlerësojnë njohësit e integrimeve evropiane dhe të çështjeve politike.
Jehona Lushaku-Sadriu, politologe dhe njohëse e integrimeve evropiane, thotë për Radion Evropa e Lirë se çështja e liberalizimit të vizave për qytetarët e Kosovës nuk është aktualisht në fjalorin elektoral të partive politike, për shkak se të njëjtat parti e kanë përdorë me të madhe këtë çështje si premtim zgjedhor pa mbulesë, për faktin se kjo çështje nuk varej dhe nuk varet edhe më tej nga partitë politike, ndërkohë që premtimet i kanë rritur pritjet e qytetarëve, të cilat nuk janë menaxhuar.
“Prandaj tash, duke qenë të vetëdijshme (partitë politike) dhe duke qenë dëshmitare se nuk kanë arritur ta përmbushin liberalizimin si premtim, si dhe që nuk varet si proces nga partitë politike, por varet tash nga Bashkimi Evropian, ato kanë vendosur që të mos e përdorin në diskursin e tyre gjatë fushatës. Nuk do të habitesha nëse disa parti , që kanë qenë në pushtet herën e fundit, do ta përdorin pak a shumë, por nuk do të shkojnë me premtime që ky proces do të ndodhë menjëherë, për shkak se dihet që nuk ka mundësi të realizohet menjëherë”, tha Lushaku-Sadriu./REL/