Shkruan: Avni Rudaku
Më 15 janar 2024 deri më 14 janar 2025, e nënshkrova kontratën me të ashtuquajturën Albshkolla, si Konsulent për çështje mësimore-shkencore. Më 5 mars 2024, në grupin në Vajber, me rreth 170 punonjës të angazhuar, kryesisht mësimdhënës e zyrtarë të tjerë, në Albshkolla, pasdite vonë, erdhi një mesazh për të gjithë, nga zyrtarja ligjore e angazhuar në Albshkollë, para disa ditësh, si në vijim:
“Te nderuar, Ju njoftojme se asnje person nuk do te kete kontrate pa i’u nenshtru trajnimeve profesionale te obligushme per secilin profil, te organizuar nga vete Kompania. Trajnimet fillojn prej neser ne ora 16:00 me mesimedhenesit dhe vazhdojne me profile tjera, infermier, jurist, psikolog, etj. Trajnimet kushtojne 100€, prej neser fillojne pagesat. I dergoni fletpagesat online ose ne zyret e Albshkolles. Ju lutem mos na shqetesoni permes telefonit, komunikimi vetem permes e-mail: info@albshkolla.com Vetem personat qe i kalojne me sukses trajnimet, do te kene kontrate pune. Ky vendim eshte i formes se prere. Ju falemnderit!”
Mesazhi 2 vazhdues i saj në Vajber: “Pagesa të bëhet deri nesër, ora 12:00.”
Sapo e pashë kërkesën në Vajber, i lexova disa mësimdhënëse që reaguan me pakënaqësi dhe me reagim shumë të drejtë, pse të kushtëzohej trajnimi prej 100 eurosh, kur i kishin tashmë edhe kontratat.
Unë, pavarësisht se nuk përfshihesha në këtë kushtëzim, dola në mbrojtje të gjithë stafit dhe dhashë dorëheqje të menjëhershme dhe të pakthyeshme, duke e shkruar këtë mesazh në Vajber:
“Të nderuar mësimdhënës/e, të nënshkruash kontratë, e pastaj të kërkosh trajnim të kushtëzuar me 100 euro për kontratë, është imorale dhe antiligjore, duke rënë ndesh me Ligjin e Punës, Konventat për të Drejtat e Punëtorëve dhe çdo rregullore tjetër lokalisht dhe universalisht. Çdo kontratë e nënshkruar, bëhet nga pajtimi paraprak mes punëdhënësve dhe punëmarrësve, dhe hyn në fuqi, duke u mbrojtur nga Kushtetuta e Kosovës, të gjitha ligjet në fuqi dhe Ligji i Punës. Nuk mund të kërcënohet me anulim kontrate të nënshkruar, për një trajnim 100 euro, për rikontratë, sepse është absurde, imorale dhe antiligjore. Çdo kompani në botë, investon në buxhet special për trajnimin e punëtorëve, nga buxheti i kompanisë, e lëre më të kushtëzojë punëtorët me anulim kontrate për trajnim të kushtuar, madje edhe me një paralajmërim ofensiv dhe intensiv, një ditë më parë, duke tejkaluar çdo normë. Ka trajnime speciale me vetëfinancim të punëtorëve, me vullnet të lirë, për gradime ose rritje page, por krejt me vullnet të lirë. Tarifa e obligueshme për punëtorë prej 12 eurosh, duke e shndërruar punëtorin në klient, akoma pa e marrë pagën e parë, dhe tash pagesa e kushtëzuar me 100 euro, me kanosje për anulim kontrate, është e papranueshme, joetike dhe antiligjore. Investimi me mjete financiare të punëtorëve, akoma edhe pa u bërë një muaj, është praktikë e panjohur dhe mund ta bëjë veç dikush që nuk i ka njohuritë elementare mbi etikën, ligjet në fuqi dhe konventat ndërkombëtare. Jo vetëm i refuzoj këto mënyra të funksionimit të biznesit, lindjes e zhvillimit, pavarësisht se nuk më preket mua fare ky interes, në emër të kauzës së përjetshme për integritet moral personal e profesional, në emër të avokatit të vazhdueshëm për të drejtat e punëtorëve, gjatë gjithë jetës sime, kudo që kam punuar nga viti 2008 e këtej, heqi dorë nga çdo pozitë, qoftë edhe ajo e Konsulentit për Çështje Mësimore, duke kërkuar nga sot, kryerjen e të gjitha obligimeve për çdo punëtor/e të angazhuar deri më tash, përfshirë edhe mua. Në të kundërtën, unë do të angazhohem që çështjet e pazgjidhura në mes nesh si punëtorë dhe punëdhënësit, t’i drejtohem zgjidhjes së kontestit civil në gjykatat vendore. Kërkoj gjithashtu nga kompania, që të gjitha të dhënat e mia personale e të punëtorëve të larguar, t’i shkatërrojë, në bazë të Ligjit për Mbrojtjen e Të Dhënave Personale. Kërkoj gjithashtu që emri im të mos figurojë askund në kompani, në përputhje me ligjet në fuqi. Ua bëj me dije se këshillat e mia, nuk u morën parasysh për shumë çështje, përfshirë numrin e pabesueshëm të aq shumë punëtorëve, që nuk përkonte me asnjë logjikë ndërmarrësie. Nga fillimi e në mbarim kam kërkuar punësimin e zyrtares financiare, që në harmoni me ligjet në fuqi, të bëhej regjistrimi dhe deklarimi online, por nuk u dëgjua zëri im. Secilin prej jush, secilën, e falënderoj pa masë për bashkëpunimin, duke i kërkuar falje që ndodhi kjo e papritur, në kompaninë ku u angazhova me të gjithë mendjen, për të punuar, me idenë e një misioni edhe patriotik, për të mësuar të gjithë fëmijët e mërgatës. Për fund, jap dorëheqje të pakthyeshme pas këtij njoftimi me nxitim për kushtëzim dhe antiligjor, duke bashkëndjerë me çdo punëtor/e. Me respekt, Avni Rudaku – Ish konsulent për çështje mësimore-shkencore”.
Më pas, sot, e shtunë, 8 mars, duke shkuar për vizitë te një e afërme të shtrirë në Pulmologji, më thirrën mediet se punëdhënësi Driton Ajeti, po ju akuzon për tjetër gjë, ndonëse janë 170 dëshmitarë për faktet e mia që e përgënjeshtrojnë krejtësisht atë. Unë prisja me dy punëtorët e tjerë të larguar për mospagesë të pagës, të shkonim këtë të hëne në Inspektoratin e Punës, duke ndjekur procedurat ligjore, u detyrova t’ia dërgoja të gjitha faktet medieve, dhe mora mundin edhe të jepja të gjitha gjërat e grumbulluara deri në këtë vendim.
1. Nuk dëgjoi asnjë këshillë timen që të fokusohej në funksionalizimin e platformës, e jo të rekrutonte qindra punëtorë, e duke ia nënshkruar me lehtësi kontratat, për një vit, me paga mjaft të larta për kontekstin kosovar. Unë isha i lumtur për punësimin e qindra punëtorëve, por nga përvoja ime dhe të punëtorëve të tjerë të larguar, e dija se nuk kishte mjete financiare as për ne, e lëre më për qindra punëtorë.
2. Nuk dëgjoi kundërshtimin tim që mësimdhënëset të mos paguajnë nga 10 euro, për financimin e koktellit me ushqim tradicional, për mbrëmjen e përurimit të shkollës. Madje, edhe pijet i mori në këmbim të promovimit, nga një kompani mjaft e respektuar. Gjithçka donte falas që në fillim dhe ngriti mosbesim se mund të kishte mjete financiare dhe kapital për aq shumë punëtorë dhe për paga aq të larta.
3. Nuk dëgjoi kundërshtimin tim që punonjësit dhe mërgimtarët të mos paguajnë në fillim tarifën 12 euro për një vit për qasje në platformë, pa u funksionalizuar platforma dhe pa u ofruar produkti e shërbimi për klientët mërgimtarë. Në fillim produkti, pastaj kërkesa për blerje të produktit a shërbimit nga klientët.
4. Nuk dëgjoi kundërshtimin tim që punëtorët akoma pa e marrë pagën e parë, të paguanin me çdo kusht trajnimin prej 100 eurosh dhe kërcënim me anulim kontrate, nëse pagesa nuk do të bëhej deri të nesërmen, ora 12:00. Madje, ishte absurde kërkesa me urgjencë, në mbrëmje kërkesa, të nesërmen të bëhej pagesa prej 100 eurosh.
5. Nuk respektoi asnjë dakordim në mbledhjet e bëra dhe nuk adresonte shumë çështje për fillimin e mbarë të SH.P.K.-së.
6. Nuk pagoi punëtorët e angazhuar nga janari, duke i detyruar të largoheshin, pasi e shtynte vazhdimisht, jo nesër, jo nesër, dhe ende nuk i kanë marrë pagat, e me të cilët punëtorë të TIK-ut, do të bëjmë ankesë në Inspektoratin e Punës, me Arianin e Premtimin.
7. Nuk dëgjoi këshillën time nga fillimi e vazhdimisht, se duhej të bënte regjistrimin online dhe deklarimin e punëtorëve në ATK, duke i paguar të gjitha kontributet dhe përmes transferit bankar. E shtynte: jo nesër, jo nesër, jo nesër e angazhojmë zyrtaren financiare.
8. Përgjigjej rrallë me shkrim, për çështjet e adresuara, dilemat dhe konfuzionet e mësimdhënësve, dhe ndihesha shumë keq, që duhej vetëm unë të përgjigjesha e të mos ia lija pezull pyetjet, punonjësve të angazhuar.
9. Nuk dëgjoi shumë këshilla të tjera profesionale e ligjore, “hajt se e di unë”.
Në vend se të merrte këshillat për bazë, të respektonte dorëheqjen time si e drejtë e çdo punëtori të kundërshtonte padrejtësi që iu bënte, takonte njerëz dhe i thoshte se Avniu po më shantazhon dhe të gjithë punëtorët e tjerë të larguar, i quante “spiunë”, e jo të më konsideronte thjesht një të pasionuar për respektimin e Ligjit të Punës, respektimin e të drejtave të punëtorëve, zbatimin e ligjeve në fuqi për Sh.P.K., etj. etj. Në fakt, unë isha sinjalizues, jo shantazhues, por kishte probleme të mëdha konceptuale e profesionale, duke mos njohur fare kuptimin e fjalëve që përdorte, si dhe, dyshoj se e bënte me qëllim, sepse kur nuk ua jepte pagat punëtorëve si mua, t’i duheshe t’i stigmatizosh!!!
Unë jam i lumtur që kam guximin, përvojat, dijen, etjen për drejtësi dhe mbrojtjen e të drejtave të punëtorëve. Për këtë i kam 170 dëshmitarë që kanë qenë në grupin në Vajber, për të dëshmuar për çastin e dorëheqjes, menjëherë pas kërkesës absurde të zyrtares ligjore, të kërkuar nga pronari. Jam krenar që në çdo kompani, në çdo mbledhje, i mbroj zëshëm të drejtat e punëtorëve, dhe nganjëherë jam i zhgënjyer se pas mbledhjes, gjithmonë më kanë thënë “Bravo!”, por publikisht, pak kanë pasur guximin për t’u solidarizuar dhe gjithsesi, gjithmonë i mirëkuptoj punëtorët. Punëtorët janë të lodhur nga inflacioni dhe dëshira e tyre për të marrë një pagë të lartë, është e mirëkuptueshme, e pritshme dhe me të drejtë. Punëtorët frikësohen edhe për humbje pune dhe i mban nganjëherë shpresa për të ecur tutje. Por unë nuk pashë më shpresë në këtë kompani. Do të isha i lumtur që qindra punëtorë në Gjilan të marrin paga 800 e 2000 euro, por dyshoj si të ishin skema piramidale (angazhohen për futje të sa ma shumë punëtorëve në skema, e jo me fokus 100 për qind në produkt e shërbim, kërkesa të vazhdueshme financiare nga vetë punëtorët, mospagesë të punëtorëve si mua dhe TIK-un etj.), pasi që një kompani që nuk ka mjete financiare për një koktell dhe t’ia paguajë vetë trajnimet punëtorëve, dyshoj se mund të ketë aq shumë mjete financiare, qoftë edhe për të bërë pagesat për muajin e parë. Qitjani lapsin: 300 punëtorë, herë 800 euro për muaj, ose 1000, ose 2000, sa dalin: qindra e mijëra euro! Fakti më kokëfortë është se mua, Premtimit, Arianit etj., nuk ia ka bërë pagesën ende.
Jam i lumtur që kemi shtet dhe çështjet do t’i adresoj vetëm përmes procedurave ligjore. Hapi i parë është trokitja në Inspektoratin e Punës, me shpresë që pagën time, Premtimit dhe Arianit, do të na ekzekutojnë, pas skadimit të datës në kontratë, për mospagesë, ndërsa shteti të merret me hiset e tjera të vlerësimit e gjykimit. Nëse vazhdon shpifjet, do të ballafaqohet me Ligjin kundër Shpifjes dhe e kam paralajmëruar pa u frikësuar! Qofsha gabim!