Ikja e punëtorëve shëndetësorë për në vendet evropiane po rritet dita – ditës. Dhe, ndonëse jo i vetmi, ky është ndër problemet kryesore me të cilat po ballafaqohet shëndetësia në Kosovë.
Gazeta Insajderi sjell rrëfimin e psikiatrit nga Kosova, Liron Pepshi, i cili mori rrugën për në Gjermani për të vazhduar me profesionin prej psikiatri. Për Pepshin paga nuk ka qenë arsyeja primare që ishte larguar nga Kosova.
Ai ka treguar se kishte tentuar të kthehej të punonte në Kosovë, por u zhgënjye shumë.
Psikiatri Pepshi bën thirrje që problemet e shëndetit mendor të jenë prioritet i Ministrisë së Shëndetësisë në Kosovë.
Më tutje, ai ka folur edhe për dallimet e të qenit me profesion psikiatër në Kosovë dhe në Gjermani.
Derisa, ka bërë edhe dallimet mes kosovarëve dhe gjermanëve karshi vizitës së psikiatrit.
Ndër të tjerash, Pepshi ka rrëfyer edhe çudinë më të madhe për të pas shkuarjes në Gjermani.
Sipas tij, në klinika gjermane më shumë ka pacient me çrregullime të personalitetit e çrregullime neurokognitive (demencë) sesa me psikozë.
Intervista e plotë:
Kur shkuat për të punuar në Gjermani?
Në fillim të vitit 2011 pas diplomimit e licencimit në Kosovë nuk arrita të pranohem si mjek edhe pse aplikova në disa vende e kontaktova shumë persona. Gjatë muajve në vazhdim nuk arrita as të pranohem në konkurset e specializimit, qoftë edhe me vetëfinancim, prandaj vendosa të filloj specializimin në Gjermani si opsion të dytë.
A ka qenë prioritet për ju interesi financiar?
Unë gjatë dhe pas studimeve kam punuar pasi prindërit e mi ishin të papunë kurse ndihma tjera financiare nuk kisha. Pas punës në kompani të sigurimeve, në 5 vitet e fundit isha i punësuar në Ambasadën Amerikane, ku rroga ishte e mirë, kështu që interesi financiar nuk ishte arsye primare pse u largova nga Kosova. Në dallim nga rroga në Ambasadën Amerikane rroga në Gjermani ishte në fillim diku 2.5 herë më e lartë. Pas specializimit, nga përvoja e pozitat sigurisht se tani shumë herë më e lartë.
Nëse bëni eksperiencë në Gjermani a do të ktheheshit në Kosovë?
Besoj që ka shumë kolegë, pasi kalojnë një kohë në Gjermani ëndërrojnë të kthehen, kjo ishte dhe është edhe dëshira ime. Por vonesat e problemet burokratike, me të cilat u ballafaqova, kur tentova të kthehem gjatë verës së vitit të kaluar më zhgënjyen shumë. Tani pas 6 muajve ashtu siç kisha planifikuar, kam dhënë dorëheqje nga puna në Gjermani, por në vend të Kosovës angazhimin do ta vazhdoj në Luxemburg. Vetëm si shembull, përderisa nga Kosova 6 jave pas aplikimit kam marr një përgjigje që kanë pranuar dokumentet e mia, derisa Ministrisë në Luxemburg iu janë dashur vetëm 5 jave nga aplikimi të lëshimi i licencës. Unë ende jam i gatshëm e me gjithë dëshirë të ofrojë ndihmë e bashkëpunim në Kosovë, por jo të kthehem njëherë.
Sipas jush, ku duhet të fokusohet më shumë Ministria e Shëndetësisë?
Problemet e shëndet mendor mendoj që duhen të jenë prioritet i Ministrisë së Shëndetësisë. Besoj që shumë nga tragjeditë që ndodhin në Kosovë, vrasjet, ndarjet martesore, dhuna në familje pjesërisht janë pasoj e probleme mentale. Prandaj ofrimi i një shërbimi më të mirë do të parandalonte ose lehtësonte shumë vuajtje, dhe kjo do të duhej të ishte edhe interes i Ministrisë së Drejtësisë dhe e atyre sektorëve qeveritare që janë përgjegjës për mirëqenien e qytetarëve. Këtu nuk duhet të fokusohen vetëm te trajtimi por edhe psiko-edukim me intensivë, programe te integrimit të pacientëve në jetën e përditshme, ndihma ambulatore përmes vizitave shtëpiake, qendra lokale për ndihmë urgjente te krizat psikike
Cilat janë dallimet e të qenit psikiatër në Gjermani dhe në Kosovë?
Përpos aspektit financiar, profesioni i psikiatrit është shumë i kërkuar në Gjermani, prandaj respekti nga ana e kolegëve, punëdhënësit por edhe pacientët është i lartë, çka na lehtëson shumë punë profesionale. Për shkak të profesionit, ndonjëherë kemi edhe kontakte me klientë që nën ndikimin e drogave ose psikozës mund të na kërcënojnë por sistemi i reagimit dhe ndihmës është mirë i rregulluar, ashtu që këto ngjarje nuk na pengojmë të vazhdojmë të punojmë me këta klient. Dhe kjo mendoj, të paktën nga kontaktet që kam me kolegët në Kosovë mungon ndonjëherë.
Sa dallojnë rastet që të paraqiten si psikiatër në Gjermani në krahasim me Kosovën?
Për dallim nga Kosova ajo që më befasoi kur fillova punën në Gjermani ishte se në klinika kishte më shumë pacient me çrregullime të personalitetit e çrregullime neurokognitive (demencë) se sa pacientë me psikozë. Tek më vonë e kuptova që në përgjithësi në Gjermani ekziston një sistem ambulatorë shumë i mirë për integrimin e pacientëve me psikozë në jetën e përditshme dhe menaxhimin e krizave psikotike, diçka që në Kosovë ende mungon. Përderisa protokollet e trajtimit të psikozave janë shumë më të efektshme se sa para 10-20 viteve, çrregullimet e personaliteti mbeten një sfidë në psikiatri dhe meritojnë më shumë fokusim edhe në Kosovë, pasi ndihma me medikamente është e pamjaftueshme nëse nuk aplikohen edhe metoda tjera terapeutike.
Lufta në Ukrainë ka bërë që të ketë edhe më shumë ankth e depresion tek njerëzit. A mund të na tregoni se a është vënë rë kjo tek populli ku ju punoni?
Gjeneratat e vjetra në Gjermani kanë qenë të traumatizuar edhe ashtu nga dominimi 40 vjeçare sovjetik i Gjermanisë Lindore, kështu që fillimi i luftës në Ukrainë ka qenë edhe një lloj ritraumatizimi ashtu siç ishte edhe për ne në Kosovë, edhe pse me një distancë mbi 1500km larg. Tani pas gati 1 viti luftë ajo që klientët ankojnë në kontaktet terapeutike më shumë ka të bëjë me pasojat indirekte të luftës si inflacioni dhe mungesa e optimizmit që kjo do të përfundoj së shpejti. Është një lloje lodhje emocionale, dallon nga ajo që vërenim në fillim ku ankthi ishte ankesa kryesore.
Sa janë të hapur gjermanët që të kërkojnë ndihmë të psikiatri në krahasim me kosovarët.
Është interesant se gjeneratat e vjetra, sidomos ata që jetojnë në fshatra të izoluar ende kanë paragjykime për psikiatrin dhe nuk kërkojnë ndihmë deri sa të detyrohen nga të afërmit, diçka që mendoj që është shumë prezentë edhe në Kosovë. Gjeneratat e reja nuk e kanë këtë kompleks, dhe për çdo problem mental, edhe sikur të jetë diçka që zakonisht do të mund të këshilloheshin me shoqëri, kërkojnë ndihmën e psikiatrit ose psikologut. Prandaj edhe kërkesa për terminë është shumë e lartë, dhe klientët detyrohen të presin 6 deri në 9 muaj për një termin. Largimi i paragjykimeve për psikiatri në Kosovë besoj se do të mundësonte shumë personave të kërkojnë ndihmë adekuate dhe kursejnë vuajtje të mëvonshme.
Ndryshe, javën që lamë pas, Gazeta Insajderi solli rrëfimin e mjekut shqiptar, Flamur Llabjani, i cili për mundësi më të mira la Kosovën për Gjermaninë.