Veprimtaria krijuese e Nolit fillon me publiçistikën dhe oratorinë. Ato shprehin qartë pikëpamjet e tij thellësisht demokratike dhe janë si një kronikë e jetës politike e shoqërore shqiptare të kohës së tij.
Nga: Xhemail Veseli
Publiçistika
Karakteristkat kryesore të tyre janë mendimi i qartë dhe i mprehtë, qëndrimi i drejtë dhe i prerë dhe reagimi i menjëhershëm ndaj ngjarjeve më të rëndësishme kombëtare dhe ndërkombëtare. Noli mbajti fjalime të zjarrta para shqiptarëve në SHBA, në Këshillin Kombëtar të Tiranës
(1920-30), në Korçë e Vlorë, në Lidhjen Kombeve etj. Në këto fjalime dhe artikuj trajtohen probleme të rëndësishme siç janë ruajtja e pavarësisë dhe e tërësisë tokësore të Shqipërisë nga synimet shoviniste fqinje, mbrojtja e dinjitetit të shqiptarit dhe Shqipërisë, demaskimi i klasës feudale dhe i monarkisë së A.Zogut, demokratizimi i jetës së vendit, vlerësimi i figurave të shquara të historisë e kulturës shqiptare e botërore etj. Forma e polemikës, kultura me të cilën janë trajtuar problemet politike e shoqërore bëjnë që këto shkrime të zenë një vend krejt të veçantë në publiçistikën shqiptare.
Shqipërimet artistike
Noli si përkthyes i krijoi vetes një vend nderi në letrat shqiptare, por atë nuk e arriti vetëm se ishte njohës i mirë i disa gjuhëve si: greqisht, latinisht, frengjisht, spanjisht, anglisht, gjermanisht, turqisht etj. Krahas talentit për të mësuar gjuhët e huaja, Noli njihte mirë thesarin e gjuhës amtare e gjithashtu njihte thellë kulturën botërore dhe atë kombëtare. Kishte aftësi të tilla gjykimi dhe shije aq të hollë sa mundi të zgjedhë e të përkthejë vepra të shquara të shkrimtarëve të mëdhenjë botëror që jo vetëm e pasuronin kulturën tonë kombëtare por edhe u bënin indirekt jehonë shumë problemeve aktuale të realitetit shqiptar. Punën e përkthyesit Noli e nisi si vazhdues i traditës që kishte krijuar Kristoforidhi duke përkthyer disa libra të shërbesës për nevojat e kishës shqiptare që posa ishte themeluar. Më pas ai përktheu disa krijime nga Molieri e Stendali dhe më vonë i hyri punës për përkthimin e atyre veprave të rëndësishme që do ta bënin të njohur si përkthyes jo vetëm në Shqipëri por edhe përtej kufijve shqiptarë, siç janë: poema “Skënderbeu” e Longfellout , tragjeditë “Othello”, “Hamleti”, “Makbethi”, “Jul Qezari”, të Shekspirit, Dramat “Armiku i popullit” dhe “Zonja Igra e Ostronit” të Ibsenit; “Rubairat” e Omar Khajamit, “Don Kishoti i Mançës” i Servantesit ; “Kasollja” e Ibanjezit etj. Pothuajse të gjitha këto vepra Noli i pajisi edhe me parathënie ku dha gjykime kritike estetike e filozofike me shumë vlerë. Përkthimet e Nolit janë vlerësuar mjaft nga personalitete të shquar të kulturës botërore. Kështu albanologu i njohur Norbert Jokli kur kishte lexuar përkthimin e “Rubairave” të O.Khajamit nga Noli kishte thënë : “Pas përkthimit të Filxheraldit, nuk di në ia kalojnë përkthimeve të Fan S.Nolit ato të gjermanishtes e të spanjishtes që janë të dorës së parë.”
Të studiosh e njohësh aq denjësisht kulturën e gjithmbarshme kombëtare por para së gjithash atë botërore të zhvilluar ndë shekuj dhe ta mishërosh aq denjësisht me kulturën e traditën tonë aq të pasur, termi “Poliglot”, kur përmendet si i tillë, duhet të na shëmbëllej me imazhe përfytyrimi të vet figurës lartësueme të Nolit si sinonim.
Muzika
Si erudit, veprimtarinë e tij krijuese Noli e shtriu edhe në fushën e artit muzikor. Që në moshën pesëmbëdhjetë vjeqare (rreth vitit 1932), si student, iu përkushtua me shumë entusiazëm muzikës në Konservatorin e Nju-Inglandit në SHBA, të cilat studime i përfundoi katër vite më vonë. Si punë diplome para komisionit kishte paraqitur tri vepra me motive shqiptare: “Skënderbeg”, “Rapsodi shqiptare” dhe baladën për tenor e orkestër “Gaspari i varfër”, vepra këto që madje ishin ekzekutuar para komisionit, si pjesë e provimit të tij të diplomës. Ndonëse sipas kritikëve dy të fundit janë cilësuar me të meta për shkak që përshkoheshin me një frymë të theksuar liturgjike, (Dihet se Noli i vuri bazë kishës autoqefale shqiptare), poema simfonike “Skënderbeg” kishte një frymë të thellë e plotë dramaticitet ku shquhej shija e autorit për të ndërtuar tema me karakteristika të larmishme me harmoni e polifoni të pasur, me kumbime orkestrale të bukura, me shumë larmi e begati ngjyrash.
Për të pasur një ide më të saktë e të plotë mbi kontinuitetin e zhvillimit të personalitetit të Nolit në fushën e muzikës dhe muzikologjisë, duhet bërë një retsrospektivë të gjatë. Duhet kthyer në kohën kur i ati i tij, psalm në kishën e fshatit të lindjes, ia mësonte notat dhe të kënduarit, mësimet mbi muzikën, mësime këto që do të kenë rëndësi shumë të madhe në jetën e mëvonshme të Nolit, sidomos kur gjatë karrierës kishtare ishte detyruar të merrej me përkthime dhe muzikë fetare. Ato përkthime i kanë parapri përkthimeve artistike dhe studimeve të mëvonshme muzikore. Prandaj, besohet se veprën e tij “Betoveni dhe revolucioni francez” ia dedikoi pikërisht të t’et (babait). Gjurmimet për këtë vepër Noli duket t’i ketë filluar qysh në kohën kur ishte i mërguar në Vjenë. “Muzikanti i madh Bethoveni kishte të drejët” shkruante Noli në introduktën kushtuar Jul Qesarit në vitin 1926.
Se Noli ishte një studiues i pakrahasueshëm me ndonjërin nga bashkëkohësit e bashkëkombasit, shihet qartë edhe nga përpjekja e tij që t’i bëj një analizë të detajuar personalitetin të Betovenit me theks të vacant veprës së tij ku u fokusua tek efektet e revolucionit francez në veprën e kompozitorit të madh, veçanërisht “Simfonin e tretë”, Simfonin e nëntë” dhe operën “Fidelia”. Ai, me sy kritik fillon punën studimore duke shqyrtuar materiale e burime të shumta, ndonëse, sipas autorit, studimi i Nolit për Bethovenin karakterizohet me lajthitje e shtrembërime të fakteve të cilat i bën me qëllim që në një mënyrë të shfajësoj maestron duke e justifikuar me mungesa financiare e vështirësi tjera materiale.
Introduktat
Introduktet apo parathëniet e përbëjnë bazën e mendimit kritik te Nolit. Mjafton të përmenden kryeveprat botërore si: “Hamleti”, “Makbethi”, “Jul Cezari”, “Othello” të Shekspirit, pastaj veprën monumentale të letërsisë persiane “Rubairat” të Omar Khajamit, romanin nga më të lexuarit që njeh historia e njerëzimit “Robinson Kruzo” të Daniel Defos, pastaj kryeveprat “Armiku i popullit” dhe “Zonja Igra e Ostronit” të Ibzenit dhe “Don Kishoti i Mançes” të Servantesit, për të krijuar përceptimin se Noli ishte një lapidar i kulturës sonë të gjithembarshme dhe mund të vlerësohet si “maja e Ajsbergut” të mendimit kritik që ka njohur historia e letërsisë shqipe. Konstatimi se introduktet e Nolit ngërthejnë në vete edhe një tok mendimesh politike, duket të jenë të sakta. Influencimin nga ai mendim e gjejmë më të theksuar te “Rubairat”, “Armiku i popullit” dhe “Don Kishoti i mançës”, të cilave vepra, mendimin e tij kritik, Noli ua dedikoi pikërisht në kohën kur ishte larguar nga posti i kryeministrit.
Tek introduktat e para paraqet disa mendime elementare per autorin, mandej shpjegon në pika të shkurta veprimtarin e tij letrare, kurse subjektin e veprës e paraqet në formë të shkurtuar, shpesh herë vetëm me dhjetë rreshta.
Duke shpjeguar hollësisht ngjarjet që përbëjnë thelbin e veprës, autori bën analizën e personazheve qëndrore dhe dytësore, pa e harruar edhe ambientin dhe rrethanat historike që kanë karakterizu ato vende. Në introduktat që u ka bërë veprave të Shekspirit vërehet se Noli anon më tepër të jep gjykime të rëndësishme dhe interesante duke u bërë një analizë të thellë karaktereve
të personazheve kryesore, qoftë kur bën fjalë për makbethin, qoftë kur zbulon botën e gjerë e komplekse të Hamletit, apo kur shkruan për Brutin dhe Kasin tek “Jul Cezari”.
Introduktat e Nolit ndriçojnë autorin në shumë aspekte: Ato flasin sheshit për bindjet e tij, tregojnë natyrën dhe temperamentin e tij, vëjnë në dukje intuitën, erudicionin, kulturën e gjithmbarshme – kompletimin dhe rrugën e drejtë të një kritiku, shkruan studiuesi.
Në introduktën e parë ,“Othello”, Noli provon të lëshohet në shfletime e zbërthime të karaktereve, të filozofis dhe etikës tyre. Prandaj, mendimet e kristalta e të shprehura me stilin e tij rrëmbyes që do të kamuflojë më vonë, këtu akoma nuk mund të vijnë në shprehje sa duhet. I mungon baza e pikëpamjeve në saje të së cilës do të vë aq shumë zjarrë në krijimtarin e mëvonshme. Sikundër që është thënë nga shumë studiues të krijimtaris Noliane, në introduktën e tij të parë “Othello”, duket të mos ketë pas ambicie më të mëdha se sa vetëm t’i paraprij lexuesit në të kuptuarit e subjektit dhe elementeve themelore të veprës.
“Rubairat”- Është shumë interesante të hetohet dhe të studiohet fakti se si u njoh dhe si lindi ideja për përkthimin e “Rubairave” të Omar Khajamit nga Noli. Ç’është e vërteta, të dhënat burimore të drejtpërdrejta për këtë ngjarje janë të pakta. Gjurmimet rezultojnë se Noli këtë vepër nisi ta përkthejë në vitin 1924. Rubairat e para që shqipëroi ia dërgoi mikut të tij në SHBA, Koço Tashkos. Nuk dihet për t’i botuar apo për t’i kërkuar mendim, por fati deshi që Tashko jo vetëm i botoi në gazetën “Dielli”, por i shoqëroi dhe me një shkrim ku fliste për vlerën e “Rubairave” dhe çmonte shqipërimin e Nolit. Koha kur i përktheu Noli këto ishte shumë e trazuar, kjo koincidoi dhe me ngjarjet kulmore politike të viteve ’20. Nasho Jorgaqi vlerëson se një përgjigje e plotë dhe shkoqitëse do të donte shumë kohë. Është vërtet e çuditshme që një klerik i lartë si Noli të përkthente një vepër siç janë “Rubairat’. Siç dihet, ato i përk
(shek IX-XVI), një rilindje që dha poetë e dijetarë të mëdhenj, ku ndër më të shquarit ishte Omar Khajami. Një poet i madh, por edhe një astronom e matematicien i shquar. Ai do të lëvronte një lloj të veçantë poetik siç është Rubaira ose Rubajatë, që është një strofë e përbërë vetëm prej katër vargjesh, në të cilën poeti shpreh ndjenjat, mendimet, gjendjen e tij shpirtërore. Këto vargje janë tepër lakonike dhe ashtu siç thonë kritikët, në to fjala ndihet ngushtë, kurse mendimi ndihet i lirë. Për pasojë, përkthimi i “Rubairave” është shumë i vështirë dhe ato iu bënë të njohura botës perëndimore për herë të parë në shekullin XIX nga Eduard Fitzgerald. Supozohet se Khajami kishte shkruar rreth një mijë rubaira. Mirëpo, është konstatuar nga studiues të shumtë se vetëm gjysma e tyre janë origjinale, që i takojnë atij. Pjesa tjetër konsiderohen apokrife, domethënë të falsifikuara.
Shqipërimi i “Rubairave” nga Noli u shoqërua me një studim shkencor dhe me shënime historiko-letrare që tregojnë për përgatitjen e tij serioze, të cilat edhe sot e kësaj dite i kanë qëndruar kohës.
Vërtet “Rubairat” janë krijime poetike të mrekullueshme, të thella, me frymë liridashëse, me dashuri për jetën. “Rubairat’ i japin lexuesit gjithë bukurinë, hijeshinë e shijen e gëzimeve të jetës. Dhe kur këto i lexon e shijon në shqip, të dhëna nga një klerik i lartë që ka predikuar dogmën fetare në kishë, e kupton dhe ndjen fuqishëm madhështinë e mendjes dhe zemrës së Nolit.
Në fazën e dytë të krijimtaris së Nolit si kritik, bie në sy simpatia e tij e thellë ndaj shtresës vuajtun por rezistuese si dhe qëndrimit të tyre stoik e revolucionar. Noli njihej me karakterin e tij prej revolucionari që e manifestonte në forma të ndryshme. Kritikën e Nolit e ka vlerësuar edhe Rexhep Qosja i cili thekson se: “Kërrkund më rrastë se në këtë studim (Aludon: “Bethoveni dhe revolucioni francez”), nuk shihet Noli kritik, muziktar, sociolog, poliglot, portretist – Noli polihistorian. Tue i dhanë tatpjetën tezës së Vensan d’Endit sipas së cilës “Bethoveni u quajt një katolik të cilit s’i bëri fare përshtypje Revolucioni Francez”. Pra Qosja mbështet Nolin në konstatimin për “Bethovenin dhe Revolucionin Francez”. Në anën tjetër, Noli kur flet për Bethovenin e nxjerr atë si ateist. Të njejtën gjë e kishte bërë më parë edhe për Omar Khajamin, thekson Qosja.
Kritika e Nolit karakterizohet edhe me stilin e tij shumë të vaçant. Qosja vlerëson se “Ai që lexon një herë dicka prej tij (Nolit), herën tjetër, posa të shqiptojë fjalin e parë do ta kuptoj se lexon po atë njeri”.
Edhe në introduktën kushtuar kryeveprës Shekspirit e mbarë njerëzimit “Hamleti”, Noli i bën një përshkrim subjektit për të kaluar tek personazhet, por, nuk lë anash edhe mendimin kritik të shumë autorëve pararendës që citon në raste të caktuara, siç ishte p.sh. Gëteja. Bën tentativë të hyjë thellë në psikologjinë e vet Hamletit duke konstatuar se arsyeja kryesore e vuajtjes “Hamletit” duhet kërkuar më tepër në ndjenjën që ka pësuar një tronditje fatale për vdekjen se sa në ndjenjën që është i pazoti për veprim. Ndërkaq Ofelinë e sheh me një sy dhëmbjeje për fatin e saj dhe rrethanat që i janë vënë si barrë duke konstatuar se sikur të merrnin punët një rrugë normale, ajo (Ofelia), do të bëhej mbretëresha e lumtur e Danimarkës përkrah të dashurit të saj, një mbreti ideal.