Agjencia për Informim dhe Privatësi ka bërë të ditur se publikimi i të dhënave personale të personave të infektuar me koronavirusin e ri, i cili e shkakton sëmundjen COVID-19, është në kundërshtim me Ligjin për Mbrojtjen e të Dhënave Personale.
Kjo agjenci thotë se është duke ndjekur me shumë vëmendje nivelin e respektimit të privatësisë së qytetarëve nga institucionet publike, me theks të veçantë nga institucionet shëndetësore, si kontrollues të të dhënave personale dhe së fundmi lidhur me propozimet për publikimin e të dhënave të personave të prekur me COVID-19.
“Në rrethanat e krijuara në vendin tonë nga përhapja e virusit COVID-19, është më se e domosdoshme që të shkëmbehen informacione ndërmjet institucioneve relevante të ndërlidhura në mbështetje të përpjekjeve për të trajtuar këtë pandemi globale. Me gjithë këtë, ky shkëmbim duhet bërë në përputhje të plotë me dispozitat e Ligjit Nr. 06/L-082 për Mbrojtjen e të Dhënave Personale, duke e pasur parasysh që kemi të bëjmë me të dhëna të ndjeshme (shëndetësore), publikimi pa kritere i të cilave mund të përbëjë ndërhyrje në privatësinë e individit (të dhëna shëndetësore)”, thotë AIP, raporton “Zeri.info”.
Agjencia ka këshilluar personelin mjekësor, i cili thotë se po bën punë vetëmohuese në parandalimin dhe trajtimin e të gjithë atyre që po kërkojnë ndihmë, që të ndajë të dhënat e pacientëve të dyshuar ose të prekur nga ky virus “vetëm me profesionistët shëndetësorë dhe me autoritetet përgjegjëse” që ndërlidhen me parandalimin e virusit, duke iu përmbajtur parimit të kufizimit të qasjes në këto të dhëna, për të mos i ndarë ato me palët e treta pa pëlqim paraprak të subjektit të të dhënave (pacientit të të infektuarit).
AIP ka rekomanduar institucionet relevante dhe rekomandon përsëri se publikimi i emrave ose i të dhënave tjera personale të të prekurve nga COVID-19 bie në kundërshtim me Ligjin për Mbrojtjen e të Dhënave Personale.
Njëkohësisht, Agjencia kërkon nga mediumet e shkruara, audiovizive, ato të platformave online, si dhe nga çdo subjekt tjetër publik ose privat, që në përmbushje të misionit të tyre të informimit të plotë e të drejtë të publikut, të jenë të kujdesshëm në respektimin e dinjitetit njerëzor dhe jetës private të qytetarëve.
Një njoftim të tillë për publikun dhe palët e ndërlidhura Agjencia e ka bërë edhe në muajin mars të këtij viti, gjithashtu me kërkesë IKSHPK-së ka këshilluar të njëjtit se si të veprohet në situata të tilla.
Në funksion të gjendjes së krijuar dhe masave të marra për parandalimin e saj, Agjencia për Informim dhe Privatësi inkurajon qytetarët që, në rast se kanë ankesa si për qasje në dokumente publike, ashtu edhe për mbrojtjen e të dhënave personale, t’i paraqesin ato vetëm përmes postës elektronike në adresën: info.aip@rks-gov.net dhe/ose ankesa.aip@rks-gov.net.