Ardita Sinani, këshilltarja e kryeministri, Albin Kurtit, i është përgjigjur kryetarit të Komunës së Preshevës, Shqiprim Arifit, i cili ka postuar një fotografi të Ardita Sinanit me Aleksandër Vulinin që tash është shef i shërbimit sekret serb.
Sinani e ka shpjeguar ngjarjen ku është bërë foto me Vulinin, duke thënë ka qenë në cilësinë e kryetares së Komunës së Preshevës.
“Në shënimin e ditës së refugjatëve, në kampin e përqëndrimit, unë kam marrë pjesë në cilësinë e kryetares së Komunës së Preshevës, në prezencën edhe të shumë ambasadorëve, e në të cilën ngjarje ka qenë prezent edhe Aleksandar Vulin, atëkohë Ministër i Punës dhe Mirëqenies Sociale. Ngjarje kjo e vitit 2017 dhe e cila është bërë publike që në ditën që është shënuar dita e refugjatëve, e unë kam qenë e ftuar si kryetare e Komunës, e cila ka investuar në përmirësimin e kushteve të qendrimit në kampin e refugjatëve nga Siria dhe Lindja e Mesme“, ka shkruar ajo në Facebook.
Sipas saj, ”sa është bashkëpunnëtor i shkëlqyeshëm i Beogradit, Shqiprim Arifi po e dëshmon vet çdo ditë e më shumë“.
”Bashkëpunim nga i cili përmirësimi i gjendjes së të drejtave të shqiptarëve në Luginë nuk ka lëvizur asnjë hap, madje ka shënuar regres. Të vetmin progres nga ky bashkëpunim e kanë qeverisjet autoritare në Beograd dhe të instaluarit dhe “bashkëpunëtorët e shkëlqyeshëm” i sojit të Shqiprimit“, ka thënë ndër tjerash ajo.
Në emisionin Pressing të T7, të martën, Arifi është përplasur me analistin Sadri Ramabaja, i cili i tha Arifit se “ka fotografi me Vulinin”, pas kësaj, Arfiti paraqiti dy foto të Sinanit afër Vulinit, një e publikoi në emision e tjetrën në rrjete sociale.