Gjatë ditës së djeshme, në media janë publikuar disa lista, në të cilat thuhet se janë emrat e veteranëve të rrejshëm të përfshirë në aktakuzën e ish prokurorit të prokurorisë Speciale të Kosovës, Elez Blakaj.
Në këto lista, në mesin e veteranëve të rrejshëm gjenden edhe emrat e shumë ish ushtarëve që luftuan me të vërtetë gjatë luftës në Kosovë.
E, menjëherë pas publikimit të këtyre listave, reagoi Blakaj, i cili mohoi që këta emra të jenë të përfshirë në aktakuzën e tij, duke shtuar se aktakuza është ndryshuar dhe është plotësuar me 2000 emra të rijnë.
Ndërsa, në rrjetet sociale kanë filluar të publikohen bisedat mes ish ushtarëve të UÇK-së dhe ish prokurorit Blakaj, ku një numër shumë i madh i ish ushtarëve i janë ankuar Blakajt për përfshirjen në listat e veteranëve të rrejshëm, shkruan “Bota sot”.
Por, Blakaj, siç shihet nga bisedat ka zbuluar detaje tronditëse, siç është ajo e ndryshimit të emrave, plotësimin e listave, ndryshimin dhe hartimin e emrave në word, etj…