Me rënien e numrit të të infektuarve me Covid-19 në Kosovë, ka rënë edhe interesimi për vaksinim. Sipas Ministrisë së Shëndetësisë në 24 orët e fundit janë dhënë 13 doza të kësaj vaksine. Por mjekët apelojnë te qytetarët për imunizim.
Pulmologu Skënder Bacaj, nuk e përjashton mundësinë e një vale të re të Covid-19.
“Parashikimet janë që nuk do të ketë mirëpo kjo nuk do të thotë që ndoshta vitin e ardhshëm ose vitet e ardhshme nuk do të ketë ndonjë rikthim i virusit ashtu siç ka ndodh me virusin sezonal”, tha Bacaj për T7.
“Duhet të cekim se në vitin 1958 dhe 1969, brenda 10 vjetësh, kanë qenë dy pandemi të virusit sezonal edhe me vdekshmëri të lartë edhe me pasoja të tjera. Nuk humbet rëndësia as e gripit sezonal, as e Covid-it në të ardhmen”, sqaroi ai.
Bacaj bën thirrje për vaksinim.
“Vaksinimi është mënyra më e lirë dhe më e mirë që të krijojmë imunitet që të mbrohemi kundër çfarëdolloj vale të re”, tha Bacaj.
“Ne apelojmë që qytetarët të vaksinohen dhe ndoshta do të ketë në vjeshtën e ardhshme doza e katërt e vaksinës kundër Covid-19, natyrisht që do e vendosin OBSH-ja dhe MSH-ja. Gjithsesi ne apelojmë që të vaksinohen”, shtoi ai.
Në 24 orët e fundit nga 752 testime, 27 qytetarë kanë rezultuar pozitiv me virusin COVID-19.
Prej fillimit të vaksinimit në të gjitha qytetet e Kosovës janë dhënë 1.822.710 doza të vaksinës derisa 820.684 qytetarë janë vaksinuar me dozën e dytë.
Ndërkohë janë dhënë 100.228 doza përforcuese dhe doza të treta të vaksinës kundër COVID-19.