Këshillat drejtues të SBASHK-ut, FSSHK-së dhe Sindikatës së Policisë së Kosovës (SPK) do të takohen nesër për të diskutuar në lidhje me implementimin e Ligjit të Pagave.
Ligji i ri ka hyrë në fuqi më 1 dhjetor të këtij viti, por ai është dërguar nga Avokati i Popullit në Kushtetuese dhe është në pritje të marrjes së vendimit.
Në takimin e sotëm të krerëve të tri sindikatave pas konsultimeve të brendshme është marrë vendim që punëtorët e të tri sindikatave të presin implementimin e Ligjit të Pagave, përkatësisht marrjen e pagave me ligjin e ri.
Të tre këshillat drejtues nesër do të mblidhen dhe do të diskutojnë situatën aktuale, nëse pagat nuk merren me Ligjin e ri të Pagave, se cilat do të jenë veprimet sindikale duke respektuar zërin e anëtarësisë të cilën e përfaqësojnë.
“Lusim palët e interesit që mos të bëjnë presion mediatik në Gjykatën Kushtetuese e njëherë shfrytëzojmë rastin ta ftojmë gjithë spektrin politik që të gjejnë zgjidhje që punëtorët në fund të këtij viti t’i marrin pagat ashtu si është pritur”, përfundon komunikata e përbashkët e SBASHK-ut, FSSHK-së dhe Sindikatës së Policisë së Kosovës