Një vend ku papunësia arrin normën e rreth 30 për qind, e kompanitë ankohen se nuk po gjejnë punëtorë mund të tingëllojë si paradoks, por kjo po e përcjell Kosovën muajve të fundit.
Kompani në sektor të ndryshëm në Kosovë flasin për mungesë të madhe të punëtorëve. Shumë prej tyre thonë se po detyrohen që të kërkojnë punëtorë nga vendet fqinje, pasi që nuk arrijnë që të gjejnë punëtorë në vend.
Përfaqësues të bizneseve në Kosovë thonë se me këtë problem po përballen kompanitë prodhuese, ndërtimore dhe ato të tregtisë.
Kryetari i Odës Ekonomike të Kosovës, Berat Rukiqi, në një prononcim për Radion Evropa e Lirë thotë se mungesa e punëtorëve ka ardhur si pasojë e asaj që punëkërkuesit edhe mund të jenë dekurajuar nga mundësia që të gjejnë një punë në sektorin privat me kushte të mira.
“Kjo nuk është diçka që nuk i ka përcjellë vendet tjera, ku një numër i madh i njerëzve nuk kërkojnë punë për shumë arsye ose janë të dekurajuar që të gjejnë një punë më kushte të barabarta ose janë të dekurajuar nga kushtet që ekzistojnë në vendin e punës. Në rastin e Kosovës mund të jetë edhe diaspora që shumë njerëz i bënë të pamotivuar që të kërkojnë punë. Po ashtu ka disa vende të punës ku punëdhënësit nuk arrijnë të gjejnë punëtorë të përgatitur për vendin e caktuar të punës”, thotë Rukiqi.
Sa i përket mjeteve nga diaspora, ato mbesin një burim i rëndësishëm i të hyrave të ekonomive familjare në Kosovë. Në vit, vlera e parave të dërguara nga diaspora, sipas të dhënave zyrtare të Bankës Qendrore të Kosovës, arrin shumën e rreth 600 milionë eurove.
Ndërkohë, si arsye tjetër e mosinteresimit të punëkërkuesve për të punuar në sektorin privat janë kushtet e punës dhe pagat që nuk janë si ato të cilat ka sektori publik.
Arsim Gashi, punëkërkues, thotë se kërkon punë vetëm në sektorin publik dhe jo atë privat, pasi që, siç thotë ai, kushtet e punës janë më të mira.
“Po në sektorin privat punon me orar të gjatë dhe me pagë më të ulët, po ashtu nuk ke kurrfarë sigurie, ata mund të të largojnë kur të duan nga puna. Në sektorin publik kjo nuk ndodh, aty respektohen të drejtat e punëtorëve”, thotë ai.