Federata e Sindikatave të Shëndetësisë së Kosovës, të hënën do të protestojë para kryeministrisë.
“Sot me datën 02.11.2021 në mbledhjen e Kryesisë së FSSHK-së e autorizuar nga Këshilli Drejtues në mbledhjen e datës 02.09.2021 vendosi që ditën e hënë më datë 08.11.2021 në ora 10:00 të mbajë PROTESTË, para Kryeministrisë, me anëtarët e Këshillit Drejtues”, thuhet në komunikatën e kësaj federate.
Qëllimi i kësaj proteste, thonë se është sensibilizimi i opinionit dhe udhëheqjes vendore lidhur me gjendjen e rëndë sociale të punëtorëve shëndetësorë.
“Kërkesa jonë madhore është rregullimi i gjendjes sociale të punëtorëve shëndetësorë përmes procedimit të Projektligjit për Paga në sektorin publik dhe implementimin e tij nga janari i vitit 2022. Kërkojmë nga Qeveria dhe nga gjithë popullata që të kuptojnë qartë kërkesën tonë e cila nuk është aspak politike por, kërkesë e cila ndikon drejtpërsëdrejti në përmirësimin e statusit dhe mirëqenien e të punësuarve në sektorin publik e të punëtorëve shëndetësorë në veçanti”, thuhet tutje në këtë komunikatë.
Federata e Sindikatave të Shëndetësisë së Kosovës kërkon që qeveria të jetë transparente dhe bashkëpunuese me organizatat sindikale, në përpilimin e draftit të projektligjit për pagat në sektorin publik.