Kuvendi Komunal i Gjilanit, në mungesë të kuorumit e ka ndërprerë seancën e sotme, pasi opozita (LDK, AAK, Vatra, LS) e ka braktisur sallën e mbledhjeve, me arsyetim se nuk mund të thirret seancë e re pa u mbyllur ajo.
Drejtori për Buxhet dhe Financa në Gjilan, Riad Rashiti, ka ftuar opozitën ti bashkohen punimeve të kuvendit Komunal dhe ti lënë anash inatet politike, për shkak se qytetarët e Gjilanit mund të humbin miliona euro projekte zhvillimore.
Shkrimi i plotë:
Buxheti komunal për vitin 2023 duhet të miratohet nesër, kur është edhe afati i fundit ligjor. Përndryshe komuna e Gjilanit do të humb mbi 3,5 milion euro, pjesën e buxhetit të rritur për vitin 2023, ku pastaj rrezikohen shumë projekte dhe investime kapitale.
I ftoj të gjitha subjektet politike dhe të gjithë asambleistët e Kuvendit Komunal në Gjilan, që të jenë pjesë aktive e punës dhe e funksionimit normal, të institucionit më të lartë në komunë. Duhet të gjithë së bashku të reflektojmë në këtë situatë, e cila është bërë pengesë për vendime të rëndësishme në asamblenë komunale.
Vetëm me qasje konstruktive, bashkëpunim dhe kordinim në mes të gjitha subjektet politike, mund të ecim përpara drejtë zhvillimit dhe integrimit shoqëror. Inatet politike nuk duhet të shkojnë aq largë, sa për të ja humbur qytetarëve të Gjilanit miliona euro projekte zhvillimore.
Qytetarët e Gjilanit kërkojnë punë dhe angazhim nga të gjithë ne papërjashtim, për të përmirësuar infrastrukturën, jetën dhe mirëqenien e tyre, përmes investimeve në projekte të të gjitha fushave.