Lidhja Demokratike e Kosovës- Dega Gjilan, ka mbajtur sot konferencë për medie në selinë e LDK-së në Gjilan.
Para medieve, për të paraqitur shqetësimet e degës, kanë folur anëtaret e Kuvendit Komunal dhe anëtaret e Kryesisë së Degës, znj. Aferdita Balaj dhe znj. Drenushë Maloku.
“Edhe sot, kur publikisht ka dhënë dorëheqje Drejtoresha e Arsimit , ne përgjegjës e mbajmë të parin e ekzekutivit, i cili me injorancën dhe abstenimin për të marrë përgjegjësinë, ka bërë që në DKA të eskalojë situata deri këtu, ku brenda 3 viteve kanë dhënë dorëheqje dy drejtoresha të emëruara nga vet ai.
Dorëheqja e Drejtoreshës së Arsimit nuk është lajm për ne, sepse ajo edhe sa ka qenë në detyrë, ka qenë vetëm formalisht.
Për ne do të ishte lajm që së bashku me drejtoreshën të shkonte edhe Alban Hyseni, sepse edhe ashtu Gjilani nuk ka Kryetar!
Militantizmi, nepotizmi dhe injoranca e Alban Hysenit ka filluar të vrasë ndërgjegjen e të gjithë atyre që e votuan.
Konkurset e montuara në Arsim, transferet e paligjshme, kontratat pa konkurs, presioni militantesk nga deputet të partisë në pushtet , shkaktuan dorëheqjen e Drejtoreshës së DKA-së sot, për të na bindur se ky pushtet ka kollapsuar.
Duke mbajtur inate të cilat vetëm ai di t’i shpjegojë, nuk di tjetër përveç t’i ndërrojë pozitat për një periudhë gjashtëmujore zyrtarëve të LDK-së,( zyrtarin ligjor në DKA) vetëm për t’ia plotësuar apetitet militantëve të tij dhe me këtë veç sa po ngrit tensione në institucione komunale”-, ka thënë Balaj para medieve.
Drenushë Maloku gjithashtu permendi parregullësi e shkelje të shumta të bëra nga kjo drejtori.
“I pari i ekzekutivit, z. Hyseni, gjatë tërë procesit të subvencionimit të nxënësve me tekste shkollore ka mbajtur pozicion injorues, duke dashur të thotë se nuk është punë e tij. Por, në Komisionin Hetues të Kuvendit të Kosovës, përmes drejtoreshës deklaron se çdo gjë ka qenë në rregull. Ai nuk ka ide se çfarë po ndodh në këtë proces!
Në fund të gjysëmvjetorit të parë të vitit shkollor që e lamë pas, rreth 200 nxënës nuk janë furnizuar me tekste shkollore, sepse sipas MASHT-it ka pasur gabime në aplikim.
Nëse ky problem ka qenë evident, a nuk është brengë e kryetarit për të kërkuar përgjegjësi nga niveli qëndror rreth formës së subvencionimit të nxënësve me tekste shkollore?!
Për këta 200 nxënës nuk dihet a janë subvencionuar me tekste, sikur që nuk dihet numri i atyre që nuk kanë aplikuar fare, për shkak të procedurave të komplikuara.
Kur flasim për parregullësitë e menaxhimit të DKA-së, theks të veçantë zë numri i madh i mungesave të nxënësve,
ku këtë problem e kemi prezentuar përmes këshilltarëve tanë në Kuvendin Komunal.
Nga raportet vjetore të suksesit, shihet dallimi i madh i numrit të mungesave në mes viteve kur ka qeverisur LDK dhe pushteti i sotëm, kështu:
Në vitin shkollor 2020-21, niveli 1 deri 5 kishte 2.7 mungesa për kokë nxënësi.
Në viton shkollor 2023-24, ka 6.38 mungesa për kokë nxënësi.
Dallimi vërehet edhe në nivelin e mesëm të ulët dhe të lartë:
Në vitin shkollor 2020-21 kishte 8.10 mungesa për kokë nxënësi.
Kurse tani në vitin shkollor 2023-24 ka 19.81 mungesa për kokë nxënësi”-, tha Maloku para medieve.
Nga pamundësia për t’i dalë zot një pune, është mësuar që në vend që të ofrojë zgjidhje, të bëjë anulime. Rastin konkret e kemi me ekskurzionin e maturantëve. Koha do ta dëshmojë se sa gabim ka qenë ky vendim, që ju ka pamunësuar maturantëve ta jetësojnë kërkesën e tyre të garantuar me ligj.
Paralajmërojmë për kurdisjet e konkursit për sekretar, edukatore dhe mësimdhënës, si dhe emërimet e komisionit me përbërje krejtësisht VV, duke bërë me dije se Alban Hyseni mund të punësojë familjarët e tij dhe të militantëve që e rrethojnë, por detyrë e jona do të jetë t’i publikojmë të gjitha me emer e mbiemër!
Komisioni për Arsim i LDK-së në Gjilan,