Paneli Zgjedhor për Ankesa dhe Parashtresa ka dënuar me 16 mijë euro PDK-në, ndërkaq me 2 mijë euro AAK-në.
Gjoba ndaj PDK-së është shqiptuar për shkelje të Kodit të Mirësjelljes për Subjektet Politike.
Katër ankesa kanë ardhur nga VV dhe kanë të bëjnë me postimet e simpatizantëve të PDK-së në facebook, duke përfshirë gjuhë të urrejtjes dhe fyerje.
Në përgjigje ndaj ankesës, PDK ka thënë se garanton se personat të cilët janë objekt i kësaj ankese nuk janë pjesë e strukturave partiake dhe nuk përfaqësojnë këtë subjekt.
PZAP ka dënuar me 2 mijë euro Aleancën për Ardhmërinë e Kosovës për shkelje të Kodit të Mirësjelljes për Subjektet Politike, Mbështetësit së tyre dhe Kandidatët.
Kjo gjobë vjen pasi VV është ankuar për subjektin në fjalë për vendosje të flamurit të AAK-së në oborrin e Shkollës Fillore të Mesme të Ulët “Emin Duraku” në Shtime më date 2 shkurt.
Përgjigja e AAK-së ndaj ankesës ka qenë se flamuri ka shërbyer si orientim për pjesëmarrësit për lokacionin ku po mbahet tubimi dhe se pas përfundimit të tubimit, flamuri është larguar.
Ndërkaq për pjesëmarrje të fëmijëve në fushatë zgjedhore është dënuar me 1500 euro partia boshnjake SDU.