Ish-drejtori i Policisë së Kosovës, tash deputet i PDK-së, Rashit Qalaj, ka thënë se asnjë polic nuk guxon të shkojë në operacione të caktuara në veri pa jelekun antiplumb.
“Sa u përket jelekëve antiplumb, fillimisht duhet me ditë se jeleku është me afat skadence dhe realisht duhet të planifikohen më herët se dihet se kontingjenti që është marrë para disa viteve se kur i del afati i skadencës. Kjo çështje nuk është vetëm e sotit, por janë zhvilluar edhe disa procese në të kaluarën. Unë e kuptoj që mungesa e bordit të OSHP-së shkakton telashe. Planifikuesit në shërbimet mbështetëse të Policisë së Kosovës e dijnë saktë se kur jeleku antiplumb për shembull që është blerë para dy-tri viteve e ka skadencën”, tha Qalaj.
Sipas tij, procedurat për blerjen e antiplumbëve janë bllokuar që nga tetori i vitit 2020.
Tutje, ish-drejtori i Policisë në Kallxo tha se jeleku antiplumb është një pajisje elementare për Policinë e Kosovës.
“Problemi është se jeleku antiplumb, sidomos për disa operacione që janë zhvilluar në vazhdimësi në veri, është pajisje elementare. Asnjë polic nuk guxon me shku në një operacion jo vetëm në veri, por nuk guxon as në Prishtinë, në kohën kur duhet me e veshë antiplumbin, nëse ka afat të skaduar. Nuk besoj që ka mungesë të jelekëve antiplumb, por më shumë është çështje e kalimit të afatit të skadencës”, tha Qalaj.