Në Komunën e Vitisë nuk është konfirmuar ndonjë rast i ri me koronavirus që nga 15 marsi, kur u konfirmuan katër raste nga fshati Stubëll e Vitisë, familjarë të ngushtë të pacientit të parë të diagnostikuar pozitiv me COVID-19. Vitia është në karantinë që nga 13 marsi, kur edhe ishte konfirmuar rasti i parë me koronavirus.
Për gjendjen në këtë komunë ka folur Kryetari Sokol Vitia. Në një prononcim për Gazetën Express, Vitia ka thënë se mostrat e fundit nga kjo komunë janë nisur dje në orën 13:00, por që kanë rezultuar negative.
Deri tani, në këtë komunë janë konfirmuar shtatë raste me koronavirus. Të gjithë të infektuarit janë nga fshati Stubëll e Epërme.
“Gjendja është e mirë. Nuk kemi raste të reja. Dje ora në ora 13:00, janë përcjellë mostrat e fundit, por që nuk ka raste të reja. Janë negative”, ka thënë Haliti për Express.
Ndryshe, në këtë komunë ishte paraqitur rasti i parë me koronavirus në Kosovë. I infektuari kishte qenë një 77-vjeçar nga fshati Stubëll, i cili kishte ardhur nga Italia, por që tashmë është shëruar.
Mbrëmë Instituti Kombëtar i Shëndetit Publik ka konfirmuar edhe 13 raste të reja me koronavirus, duke bërë që numri i rasteve në gjithë vendin të shkojë në 125.
Rastet pozitive janë raste kontakti, 11 prej të cilëve me vendbanim në Topanicë, 1 me vendbanim në Prishtinë dhe 1 me vendbanim në Gjakovë.
“Nga data 08.02.2020 deri me 01.04.2020, në Laboratorin e Mikrobiologjisë Molekulare në IKSHPK me metodën RT-PCR, janë testuar gjithsej 1.380 mostra të dyshimta në virusin SARS-CoV-2 dhe prej tyre, pozitive rezultojnë gjithsej 125 raste me 1 rast të vdekjes i një të moshuari 82 vjeç”, thuhet në njoftimin e IKSHP-së.