Që nga sot ka hyrë në fuqi ligji për ndalimin e ushtrimit të veprimtarisë të Lojërave të Fatit. Çdo aktivitet i mundshëm i bastoreve, kazinove apo çfarëdo Lojëra të Fatit prej sot llogaritet si kundërligjor dhe do të sanksionohet.
ATK kishte paralajmëruar se deri në ditën e sotme do të revokohen të gjitha licensat dhe se nga kjo ditë do të ndalohet veprimi i çfarëdo veprimtarie të Lojërave të Fatit.
Inspektorët janë në terren dhe po shikojnë nëse janë mbyllur të gjitha lokalet që ushtronin deri më sot këtë veprimtari.
Ky ligj ishte propozuar nga Qeveria e Kosovës pas dy vrasjeve të ndodhura në vend, e ku viktimë ishin punëtorët e kazinove.
I njëjti ishte votuar edhe në Kuvendin e Kosovës, teksa për të kishin votuar një shumicë dërrmuese e deputetëve./Indeksonline/