Ilir Morina, drejtori i Agjencisë për Mbrojtje të Mjedisit në Kosovë, në një prononcim për media para pak çastesh, ka konfirmuar se Qendra e Skijimit në Brezovicë do të mbyllet për dy ditë.
“E gjithë qendra do të mbyllet për dy ditë si pasojë e ngjarjes dhe hetimeve që do të zhvillohet për rastin. Agjencia e Mjedisit ka paralajmëruar mbrëmë se gjendja është shumë e vështirë si pasojë e reshjeve shumë të mëdha dhe s’ka qenë e mundur të pastrohen as rrugët e as pista në Qendër”, ka thënë Morina
“Kanë qenë dy orteqe, e njëri nga ta i ka zënë dy persona. Si pasojë, fatkeqësisht zotëri Daci ka mbetur pa shenja jete”, ka treguar Morina.
Para pak çastesh, trupi i viktimës Arian Daci, është bartur me moto-ski nga ambulanta ku qëndroi deri më tani, në Institutin e Mjekësisë Ligjore për t’iu nënshtruar obduksionit.