Sot, në një nga monumentet më domethënëse të trashëgimisë në qytetin e Gjirokastrës, u hap ekspozita e përbashkët e QRTK Prizren, dhe QRTK Gjilan e cila prezanton proceset profesionale të restaurimit, konservimit dhe dokumentimit të aseteve të trashëgimisë kulturore.
Në hapje, drejtori Arton Hoxha, në emër të QRTK- së Gjilan theksoi:
“Kjo ekspozitë është dëshmi e punës së përkushtuar, e profesionalizmit dhe e përgjegjësisë sonë të përbashkët për mbrojtjen e trashëgimisë. Bashkëpunimi ynë me kolegët në Gjirokastër është shembull i qasjes institucionale që synon ruajtjen e vlerave dhe forcimin e lidhjeve kulturore ndërmjet nesh.”

Në rolin e nikoqirit, drejtori i DRTK Gjirokastër, Ardis Duka, u shpreh:
“Është kënaqësi të mirëpresim kolegët nga Kosova dhe të ndajmë rezultatet e punës sonë të përbashkët. Kjo ekspozitë reflekton jo vetëm ndërhyrjet profesionale, por edhe besimin tek një vizion i përbashkët për trashëgiminë.”
Ekspozita ofron një panoramë të qartë të punës shumëvjeçare të ekipeve të specializuara, duke prezantuar:
• vlerësimin dhe analizën e monumenteve,
• teknikat konservuese,
• rëndësinë e dokumentimit profesional,
• qasjet që sigurojnë ruajtjen afatgjatë të trashëgimisë kulturore.
Hapësira mbetet e qasshme për vizitorët dhe synon informimin, ndërgjegjësimin dhe forcimin e vlerësimit për këtë pasuri të përbashkët kulturore.











