Derisa gjilanasja Qëndresa Sadriu, me sukseset e saj në Zvicër, po e bënë krenar Gjilanin dhe Kosovën, ajo duket të mos jetë e entuziazmuar me politikën në Kosovë, për më tepër ajo e pranon se ndihet e irrituar nga politika kosovare.
Qëndresa Sadriu, si përfaqësuese e Partisë Socialdemokrate, së fundi u zgjodh deputete në Parlamentin e Kantonit më të madh të Zvicrës, në atë të Zurich-ut njëherësh ajo është edhe kryesuese e Kuvendit të Komunës Glattbrug.
E pyetur nga Portali 2LONLINE, se a e përcjellë politikën në Kosovë dhe çfarë mendimi ka, a krenohet apo irritohet me të, ajo është shprehur: “Mund të them se më shumë irritohem”.
Sadriu tha se irritohet me politikën në Kosovë kur i sheh gjeneratat e reja në Kosovë me mundësi të kufizuara për me u tregua se kush janë, apo për kontribuua me e ndryshua vendin, dhe se si nuk kanë mundësi me bë asgjë, por se, e shohin si mundësi më të fundit, me dal jashtë Kosovës, andaj për të, kjo është politikë e dështuar.
“Për mue kjo është politikë e dështueme. Duhet diçka me ndryshue për me mujtë gjeneratën e re me mbajt në Kosovë, sepse pa rini nuk ka as ardhmëri vendi jonë”, është shprehur për 2LONLINE, Qëndresa Sadriu.