Gjykata Kushtetuese këtë javë do t’i japë fund dilemës që çoi në përplasje të thella në skenën politike. Interpretimi i ligjshmërisë së dekretit të presidentit nga ky institucion për mandatarin mund t’i sjellë Kosovës dy skenarë. Qeverinë e re në krye me Avdullah Hotin ose zgjedhjet, shkruan Gazeta Express
Disa letra të presidentit Hashim Thaçi drejtuar kryeministrit në detyrë, të cilit iu drejtua në cilësinë e shefit të Lëvizjes Vetëvendosje, nuk e bindën Albin Kurtin që t’ia dërgojë të parit të shtetit emrin për mandatarin.
Derisa Vetëvendosja nuk po tregonte shenja se do të vazhdonte rrugën për krijimin e një qeverie të re, pas rrëzimit të Kurtit, Lidhja Demokratike e Kosovës veçse po kryente takime me partitë tjera politike që ishin treguar të gatshme për të bërë një koalicion të ri.
Për herë të parë, në historinë e mocioneve që janë votuar për qeveritë e Kosovës ndër vite, presidenti i shtetit provoi një skenar të ri, jo atë të shkuarjes në zgjedhje të jashtëzakonshme.
Për ta nominuar një kandidat tjetër që nuk del nga partia e parë e dalë nga zgjedhjet, Hashim Thaçi mori aminin edhe të kryetarëve të partive politike. Në një takim të përbashkët me presidentin, nga të gjitha partitë politike i treguan të parit të shtetit vullnetin për formimin e një qeverie të re.
Me një skenar të tillë nuk u pajtua vetëm Vetëvendosja. Partia e Albin Kurtit ka kërkuar që sa muaj zgjedhje të jashtëzakonshme, derisa momentalisht të njëjtën kërkesë, sapo të kalojë pandemia e kanë shprehur edhe nga PDK-ja.
Sido që të jetë meqë LVV-ja nuk e shfrytëzoi të drejtën e nominimit të mandatarit, që i takon si parti e parë, presidenti i vendit e kërkoi një gjë të tillë nga partia e dytë e dalë nga zgjedhjet e gjashtë tetorit.
LDK-ja që ishte iniciuese e mocionit për rrëzimin e Kurtit, që erdhi si rrjedhojë e shkarkimit të Agim Veliu nga posti i ministrit të Brendshëm, e dorëzoi emrin e Avdullah Hotit te presidenti.
Kur zyrtarisht u bë e ditur se presidenti e ka dekretuar Hotin si mandatar për krijimin e qeverisë së re, partia që udhëhiqet nga Albin Kurti u drejtua për interpretim të ligjshmërisë së këtij vendimi në Gjykatë Kushtetuese.
LVV-ja fillimisht kërkoi që Gjykata ta pezullojë përkohësisht zbatimin e dekretit, derisa të interpretohet përfundimisht ligjshmëria e nominimit të partisë së dytë të dalë nga zgjedhjet, për të formuar qeverinë.
Një gjë e tillë edhe ndodhi. Gjykata Kushtetuese e pezulloi deri me datë 29 maj zbatimin e dekretit të presidentit, derisa interpretimi i ligjshmërisë së vendimit pritet të publikohet më së largu këtë të premte.
Derisa aktgjykimi ende nuk është publikuar, nga Gjykata Kushtetuese kanë bërë thirrje për liderët e shtetit që të mos vazhdojnë presionin ndaj këtij institucioni.
Përmes një reagimi dërguar mediave, Kushtetuesja ka kërkuar nga kryeministri në detyrë, Albin Kurti, dhe presidenti Hashim Thaçi që të mos bëjnë presion dhe ndërhyrje në pavarësinë institucionale të Kushtetueses.
Megjithatë, lufta presidencë – Qeveri ka vazhduar edhe pas kësaj komunikate. Madje, të dy Thaçi e Kurti po pretendojnë se Gjykata do të vendosë në favor të tyre.
Presidenti i vendit, Hashim Thaçi, për herë të parë ka deklaruar se mund të japë dorëheqje në rast se del që ka vendosur ndesh me Kushtetutën e Kosovës.
Kurti thotë se nuk do të pranojë afate të reja nga Gjykata, mirëpo vetëm interpretim të ligjshmërisë.
Në rast se Kushtetuesja e shpall të jashtëligjshëm dekretin e presidentit, vendi shkon në zgjedhje të jashtëzakonshme.
Ndërkaq, nëse del që dekreti është bërë sipas asaj që parasheh Kushtetuta e Kosovës, Avdullah Hoti mund të jetë kryeministri i qeverisë së re. Një skenar të tillë e kanë kundërshtuar partia e Albin Kurtit, duke mos përjashtuar mundësinë e protestave. /GazetaExpress/