Qeveria aktuale është një Qeveri e madhe e cila e ka pasur një vendim me peshë të madhe, aq të madhe saqë më e rëndë se të gjitha vendimet e tjera marrë së bashku. Është kjo kontrata e nënshkruar për ndërtimin e termocentralit ‘Kosova e Re’, kontratë me fondin investiv ‘Contour Global’.
Me këtë rast, kjo qeveri Contour Global-it i garanton shitjen e energjisë nëpërmjet një ndërmarrje të posaçme publike që do të themelohet. Sipas kontratës, Contour Global-it do t’i paguhen të gjitha kostot, këstet e kredisë, kamata e tyre, fitimi edhe tatimi. Sepse Contour Global-i e don fitimin e garantuar duke mos e marrur fare përsipër rrezikun. Për të qenë më keq se kaq, Contour Globali e do edhe normën tejet të lartë të kthimit të brendshëm në kapital, prej 18.5%, që ia ka nënshkruar Qeveria aktuale.
Shtrohet pyetja, pse një normë kaq e lartë e kthimit të brendshëm në kapital? Pse duan kaq shumë, kaq shpejtë? Bëhet fjalë për hedge funds apo çka? Unë besoj se është e domosdoshme që paraprakisht të dihet prejardhja, pronari dhe struktura e kapitalit të Contour Global-it.
Në vitin 2008, në Gjermani është aprovuar ‘Risk Limitation Act’ i cili i detyron investitorët që ta zbulojnë edhe origjinën e fondeve të tyre, edhe qëllimet e tyre. Sepse investitorët financiarë që synojnë përfitime të mëdha e të shpejta i zhveshin kompanitë nga asetet e tyre, edhe duke ua hapur apo çkyçur rezervat, dhe i lënë pastaj të dobësuara shumë. Prandaj, një Risk Limitation Act, sikurse në Gjermani në vitin 2008, besoj që duhet të miratohet edhe në Republikën tonë të Kosovës. Duhet të dihet prejardhja, struktura dhe pronari (apo aksionerët e këtij) Investment Fund, këtij Fondi Investiv.
Çmimi final i cili dikur propagandohej që pas nënshkrimit me Contour Global-in nuk do të jetë kurrsesi mbi 80 Euro për MWh (megavat orë), në kontratë është e qartë se ia kanë vendosur edhe një bonus prej 20% në qoftë se prodhohet madje edhe vetëm një MWh më shumë. Si zakonisht, shteti i Kosovës, qytetarët si tatimpagues, nëpërmjet kësaj qeverie që bëri këtë kontratë të dëmshme, do të mbulojnë gjithë riskun, do ta paguajnë atë, të japin falas tokën, burimet të shiten me çmim më të ulët se sa prodhimi, të zhvendosen banorët, ne me buxhet të mbulojmë kostot, ta sigurojmë ujin, ta japim infrastrukturën e ujit e të negociojmë për çmimin e ujit jashtë rregullave, dhe ta marrim përsipër atë si shtet, me ç’rast edhe mosshitjen aty për aty të energjisë së prodhuar ne e paguajmë me këtë bonusin prej 20% të çmimit kur sistemi nuk ka nevojë më për të.
Madje, Qeveria me kontratën për bartjen e tokës ka vendosur që t’ia shes tokën e KEK-ut Contour Global-it, aty ku do të ndërtohet termocentrali i ri, me çmim prej 10 Euro gjithsej për plot 15 hektarë tokë, në shpërputhje me çmimin e shpronësimit në Shipitullë. Kështu edhe ligji për ndërmarrjet publike, edhe ligji për ZRrE-në, edhe Ligji për Prokurimin Publik gjithsesi janë shkelur me këtë kontratën e cila është bërë me Contour Global-in.
U fol edhe për të ashtuquajturat zona industriale, apo parqe ekonomike, të cilat janë bërë nga këto qeveri, jo vetëm nga kjo, dhe më duhet të them që edhe raportet e progresit të Komisionit Evropian vit pas viti kanë theksuar që autoritetet kanë vazhduar në themelimin e zonave ekonomike dhe të parqeve industriale, por megjithatë kjo është bërë pa një plan nacional. Pra, raportet e progresit të Komisionit Evropian janë ankuar që këto zona ekonomike bëhen pa një plan zhvillimor nacional. Duhet ta kemi parasysh tërësinë e pastaj pjesën – nëse fillon me copëza aty-këtu, atëherë kjo shkon në dëm të tërësisë, dhe, Republika është e përgjithshmja. Nëse jemi Republikë, që do të thotë se s’kemi mbret, nëse Republika jonë është Republikë parlamentare, nuk kanë kuptim këso zonash ekonomike pa njëfarë plani zhvillimor nacional, sepse edhe vetë raporti i progresit i Komisionit Evropian neve na e kërkon një gjë të tillë, unë besoj, me shumë të drejtë.
Merreni me mend, Qeveria i është drejtuar një Fondi Investiv privat që të ndërtojmë termocentralin “Kosova C” apo “Kosova e Re”, sido që do të quhet ai në fund, ndërkohë që ne nuk i mobilizojmë mjetet të cilat i kemi si shtet. Ju e dini që Fondi i Kursimeve Pensionale është tash 1.6 miliardë euro i trashë dhe vetëm 3% të tij investohen në Kosovë. Nuk ka kurrëfarë kuptimi që ministrat e kryeministrat kërkojnë investime prej jashtë, kur ne nuk i mbajmë paratë tona brenda vendit, por i nxjerrim ato jashtë. Çfarë investimesh prej jashtë kërkojmë ne, kur ne parat tona në emër të pasigurisë këtu apo kush e di pse i nxjerrim jashtë vendit?! Në vend se të kemi një fond investiv privat që vjen këtu të na ndërtojë neve termocentralin, është shumë më mirë që ne ta krijojmë një Fond Sovran investiv, dhe, për këtë arsye, Lëvizja VETËVENDOSJE! insiston që ta shpërbëjmë Agjensinë e Privatizimit dhe ta themelojmë Fondin Sovran të Republikës së Kosovës me mandat të investimit, përmirësimit, strukturimit dhe rritjes së profitabilitetit të aseteve me rëndësi strategjike industriale të vendit tonë. Fondi Sovran do të bëhej aksionari kryesor i të gjitha ndërmarrjeve të mëdha publike në Kosovë (KEK, PTK, Trepçë) me mundësi zgjerimi edhe në industri tjera. Atë do ta themelonim ne si Kuvend i Republikës, neve do të na përgjigjej ai Fond Sovran, dhe, me bord mbikqyrës të emëruar pikërisht nga Kuvendi me Kryeministrinë e Presidencën me nga një përfaqësues nga shoqatat e bizneset e BSPK-së. Bordi drejtues në këtë Fondin Sovran do të zgjedhte një drejtor ekzekutiv të tij, që do të ishte një figurë apartiake me përvojë globale ekzekutive në biznes, dhe, i cili do ta drejtonte Fondin Sovran në baza korporative, pra, në formën e një fondi investues. Në vend se të kemi fonde investive private që vijnë këtu dhe ne dorëzohemi si shtet para tyre do të duhej që ne ta krijojmë një Fond Sovran investiv.
Fondi ka funksion të veprimit si aksionar kryesor në industritë e mëdha strategjike të Kosovës. Ndërmarrjet aktuale publike dhe ndërmarrjet e caktuara në menaxhimin e AKP-së do të transformoheshin në shoqëri aksionare me Fondin si aksionar mazhoritar. Vlera e Fondit do të përcaktohej nga vlera e këtyre korporatave që i ka ky Fond. Shembull është Minsitria e Thesarit të Polonisë, e ndryshme nga Ministria e Financave, e cila është aksionare në shumë industri polake. Ndarja e fondit si entitet kuazi-publik e bën atë sa më të izoluar nga mundësia e kapjes politike, krijon mundësi për udhëheqje profesionale jopartiake e jopolitike dhe me performancë që në fund matet sipas parametrave financiar (kthimi në investim).
Për shtetin, fondi është instrument i politikës industriale. Fondi mund të vendosë edhe të shesë aksionet që i kontrollon në industrinë e Kosovës, duke i mundësuar investime në industri Fondit Pensional 1.6 miliardë, bankave dhe investitorëve privat vendorë e të jashtëm, sigurisht, edhe mërgatës sonë, në mënyrë që remitancat e saj të mos jenë vetëm për mbijetesë sociale duke konsumuar ne këtu mallrat e importit e duke nxjerrur paratë e mërgatës me shpejtësi jashtë vendit. Kjo do të ishte alternativë ndaj shitjes së aseteve fizike të ndërmarrjes sipas modelit të Agjensionit Kosovar të Privatizimit. Si rregull, Fondi do të ishte aksionar mazhoritar me një numër firmash strategjike (energjetika, telekomi, minierat). Si i tillë, Fondi mund të shërbejë si bazë për organizimin e një tregu të kapitalit apo bursës. Pra, kjo në vend të fondit investiv privat që s’i dihet prejardhja e kapitalit, as aksionarët e as struktura. Dhe, krejt në fund, besoj që Posta dhe Telekomi i Kosovës është në krizë, krizën nuk e zgjidhin shkaktarët, është e domosdoshme ndërhyrja e Kuvendit të Kosovës me një debat dhe rezolutë.
Sa i përket ushtrisë, neni 10.2 në Ligjin për FSK-në thotë “FSK-ja është e armatosur lehtë dhe nuk do të ketë armë të rënda siç janë tanket, artileria e rëndë apo kapacitetet sulmuese ajrore.” Pra, është e mundshme që FSK-ja të ketë helikopter për shembull, por nuk kanë qenë të interesuar për një gjë të tillë. Thuhet që FSK-ja duhet të ketë armatim të lehtë – a e dini çka është armatimi i lehtë? Çdo armatim i cili nuk ka nevojë për tërheqje të motorizuar quhet armatim i lehtë. Ne nuk i kemi shfrytëzuar as mundësitë që i ofron Kushtetuta dhe Ligji për FSK-në. Njerëzit që nuk i kanë shfrytëzuar, qeveritë që nuk i kanë shfrytëzuar mundësitë aktuale nuk janë këtu për të na i rritur ato.