Përkundër thirrjes së përsëritur të Bashkimit Evropian që Kosova të nisë punën për themelimin e Asociacionit të komunave me shumicë serbe, Qeveria e Kosovës nuk shprehet e gatshme të ndërmarrë hapa në këtë drejtim – së paku jo tash për tash.
BE-ja kërkoi të martën që puna për themelimin e këtij asociacioni, të nisë “pa vonesa të reja”.
Shefi i politikës së jashtme të bllokut evropian, Josep Borrell, përsëriti po ashtu se Kosova dhe Serbia duhet ta zbatojnë Marrëveshjen bazë për normalizimin e marrëdhënieve, bazuar në vetë propozimin e BE-së.
Ky propozim kërkon që zbatimi të nisë me “hapjen e procesit negociues për statutin e instrumenteve për vetëmenaxhim të serbëve në Kosovë“ – gjë që nënkupton Asociacionin e komunave me shumicë serbe.
Propozimi u dha në rundin e fundit të bisedimeve midis Kosovës dhe Serbisë, që u mbajt javën e kaluar në Bruksel, por që, sipas diplomatëve të BE-së, u refuzua nga kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, dhe u pranua nga presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq.
Në një deklaratë me shkrim dhënë Radios Evropa e Lirë, zëdhënësi i Qeverisë së Kosovës, Përparim Kryeziu, tha se “është gabim të vendosen kushtëzime” për zbatimin e Marrëveshjes bazë, kur as në vetë tekstin e kësaj marrëveshjeje “nuk paraqiten kushtëzime”.
“Marrëveshja bazë duhet të zbatohet në tërësi, pa vonesa, pa kushte. Madje, edhe në Aneksin [e zbatimit të marrëveshjes] thuhet qartazi se të gjitha nenet zbatohen pavarësisht njëri-tjetrit”, tha Kryeziu.
Marrëveshja në fjalë u arrit në muajin shkurt në Bruksel, ndërsa për Aneksin e zbatimit të saj palët u dakorduan në muajin mars në Ohër.
Marrëveshja me 11 nene parasheh, mes tjerash, një nivel të vetëmenaxhimit për komunitetin serb në Kosovë dhe njohje të ndërsjellë të simboleve shtetërore, ndërsa kërkon nga Prishtina dhe Beogradi që t’i zbatojnë, po ashtu, të gjitha marrëveshjet e mëhershme të dialogut.
Për formimin e Asociacionit të komunave me shumicë serbe, Kosova dhe Serbia kanë arritur marrëveshje qysh në vitin 2013.
Përkundër kërkesave të vazhdueshme të ndërkombëtarëve dhe të Serbisë, Kosova nuk e ka zbatuar kurrë atë marrëveshje, nga frika se mund të ndikojë në funksionalitetin e shtetit.
Kurti, në disa raste, ka thënë se nuk mund të lejojë themelimin e një asociacioni njëetnik, i cili do të kishte kompetenca ekzekutive, siç kërkon Beogradi.
Pas përfundimit të bisedimeve pa ndonjë rezultat, javën e kaluar, Kurti ka thënë se “kushtëzimi i Serbisë” për formimin e Asociacionit “është shndërruar në qëndrim të emisarëve të BE-së”.
Duke folur në një konferencë me gazetarë, një ditë më herët, ai tha se i dërguari i posaçëm i BE-së për dialogun Kosovë-Serbi, Mirosllav Lajçak, është “pozicionuar kundër Kosovës” në takimin e 14 shtatorit.
Kurti, po ashtu, tha se në ditët në vazhdim do të ketë takime me “të gjithë faktorët ndërkombëtarë, të cilët e kanë pranuar shtetin e Kosovës”./REL