Ministri i Punëve të Brendshme, Agim Veliu, ka mbajtur sot një takim me ministrin e Shëndetësisë, Armend Zemaj dhe drejtorin e Përgjithshëm të Policisë së Kosovës, Rashit Qalaj.
Në këtë takim u bisedua rreth koordinimit të aktiviteteve për zbatimin e vendimeve të Qeverisë së Kosovës në menaxhimin e situatës me COVID 19.
Gjatë takimit u vlerësua e ka një trend të mirë të zbatimit të masave nga ana e qytetarëve dhe bizneseve, që ka ndikuar direkt në numrin më të vogël të qytetarëve të infektuar.
Po ashtu u vlerësua puna e shkëlqyer e Policisë së Kosovës, si institucion i zbatimit të ligjit, në zbatimin e masave të Qeverisë së Kosovës dhe u kërkua njëkohësisht nga të gjithë qytetarët që të vazhdojnë të respektojnë rekomandimet e Institucioneve të Kosovës.
Policia e Kosovës së bashku me inspektorët janë duke vazhduar aktivitetet në tërë territorin e Republikës së Kosovës me orar të zgjatur, ndërsa Policia e Kosovës ka angazhuar 4 mijë pjesëtarë për zbatimin e vendimeve të Qeverisë së Kosovës.