Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka njoftuar se e kanë hapur tenderin për ndërtimin e objekteve për banim të përballueshëm në katër komuna.
Përmes një postimi në Facebook, Kurti ka thënë se tenderi për ndërtimin e objekteve për banim të përballueshëm kap vlerën mbi 38 milionë euro, ndërsa do të zbatohet në Pejë, Gjilan, Podujevë e Istog.
Hapja e tenderit për ndërtimin e objekteve për banim të përballueshëm vjen pas aplikimit për identifikimin e lokacioneve për objektet e banimit të përballueshëm në Kosovë, i cili u hap në muajin shkurt të këtij viti.
Shkrimi i plotë:
Ta bësh Kosovën të jetueshme do të thotë ta bësh Kosovën të banueshme. Këtë e bën projekti ynë i Banimit të Përballueshëm, që siç e kemi premtuar edhe do ta realizojmë. Për të kemi punuar nga fillimi i mandatit:
-Në prill të vitit 2021 formuam komitetin këshillues për studimin e fizibilitetit;
-Në shkurt 2022 kemi pranuar studimin e fizibilitetit ku theksoheshin rrugët që duhet ndjekur, çështja e pronave dhe sfidat që parasheh ky projekt;
-Në shkurt të vitit 2024 hapëm thirrjen për të gjitha komunat që të aplikojnë për banim të përballueshëm;
-Në korrik 2024 miratuam në Qeveri projektligjin për këtë projekt; dhe
-Sot, 29 nëntor 2024 po e hapim tenderin për ndërtimin e objekteve për banim të përballueshëm.
Po e nisim me komunën e Pejës, Gjilanit, Podujevës dhe Istogut, ndërkaq shumë shpejt do të procedojmë edhe me nëntë komuna tjera që janë në procedurë.
Do të sigurojmë banim për të gjithë. Banim të dinjitetshëm, jo vetëm strehim.