Qeveria e Kosovës i konsideron qëllimkëqija idetë për ndarjen e Kosovës, duke përjashtuar çdo mundësi përfshirjeje në skenarë të tillë. Ideja, e cila prej përfundimit të luftës në Kosovë proklamohet nga zyrtarët e lartë serbë, është riaktualizuar së fundi edhe në diskursin e politikanëve evropianë.
Dialogu me Serbinë, që aktualisht është pezulluar, ka kaluar në nivel presidentësh. Ndërkaq shef i negociatave në Qeverinë e Kosovës është emëruar Avni Arifi, shkruan sot Koha Ditore.
Ai ka mohuar kategorikisht se kryeministri Haradinaj do të mundë të përfshihet në diskutimet për ndarjen e Kosovës.
“I kuptojmë idetë nga Beogradi. Në 20 vjetët e fundit kurrë ide të mirë për rajonin nuk kanë pasur, pra, as kjo ideja e fundit e tyre për shkëmbim të territoreve. Nëse dëshirojnë ta ndajnë Serbinë është problem i tyre, por Kosova s’ka tokë për të dhënë as për të shkëmbyer”, ka thënë Arifi për “Kohën Ditore”.
“Kushdo që thotë apo dyshon se Ramush Haradinaj është pjesë e çfarëdo bisedimesh apo marrëveshjesh për ndarjen e Kosovës janë të pavërteta dhe qëllimkëqija”.
Për raportet me Serbinë ka folur edhe kryeministri Haradinaj, në një intervistë për gazetën gjermane “Tagesspiegel”.
Sipas tij, një traktat i paqes është shumë i rëndësishëm për të dyja vendet. “Gati dy dekada tashmë ka përfunduar lufta. Është koha që Kosova dhe njerëzit e saj të kenë perspektivë të qartë”, ka thënë Haradinaj.