Qeveria e Kosovës ka njoftuar se duke filluar nga data 1 nëntor 2022, e martë, pritet të filloj shqiptimi i “masës së qortimit” për qytetarët që qarkullojnë në Kosovë me targa ilegale si: “PR”, “KM”, “PZ”, “GL”, “UR”, “PE”, “DA” apo “ĐA”, raporton teve1.info
Sipas komunikatës së lëshuar nga Ministria e Punëve të Brendshme, nga data 21 nëntor deri me datë 21 janar të vitit të ardhshëm, për të gjithë pronarët e mjeteve që qarkullojnë në territorin e Republikës së Kosovës me këto lloje të targave do të shqiptohet gjobë sipas legjislacionit në fuqi, në lartësi prej 150 euro.
“Nga data 21 Janar 2023, pronarët e mjeteve me targat “PR”, “KM”, “PZ”, “GL”, “UR”, “PE”, “DA” apo “ĐA”, për të hyrë dhe qarkulluar në territorin e Republikës së Kosovës, duhet të pajisen me targa provuese duke e pasur të drejtën e regjistrimit me targa RKS me lehtësirat e parapara.
Nga data 31 mars deri me datë 21 prill 2023, do të mundësohet regjistrimi i mjeteve me “PR”, “KM”, “PZ”, “GL”, “UR”, “PE”, “DA” apo“ĐA” në targa RKS, por të njëjtat nuk do të mund të shfrytëzojnë lehtësirat e ofruara deri me këtë datë.
Pas datës 21 prill 2023, nuk do të lejohet hyrja apo qarkullimi i mjeteve motorike që posedojnë targa “PR”, “KM”, “PZ”, “GL”, “UR”, “PE”, “DA” apo “ĐA” brenda territorit të Republikës së Kosovës”, thuhet në komunikatën e MPB-së.
Në njoftim thuhet se sigurohen të gjithë qytetarët e Republikës së Kosovës se ky proces ka për synim ligjshmërinë e shtetit të Kosovës, rritjen e sigurisë në trafik dhe nuk është e drejtuar ndaj asnjë etnie të caktuar.