Adresimi i çështjes së pandemisë së Covid-19 dhe pasojave të saj, si dhe rimëkëmbja ekonomike, janë sfidat që kërkojnë përgjigje urgjente të Qeverisë së re të Kosovës, gjatë 100 ditëve të para të qeverisjes, vlerësojnë njohësit e zhvillimeve politike, Jeta Krasniqi dhe Rrahman Paçarizi.
Sipas tyre, edhe zgjedhja ose jo e kandidates së propozuar nga Lëvizja Vetevendosje për presidente të vendit, Vjosa Osmani, do të jetë një nga sfidat, të cilat shumë shpejt do të përcaktojnë nëse qeveria e re do të vazhdojë punën apo vendi do të shkojë sërish në zgjedhje të parakohshme parlamentare.
Qeveria e re e Kosovës me kryeministër Albin Kurtin, të hënën, më 22 mars, ka marrë mandatin nga Kuvendi i Kosovës për ta qeverisur vendin.
Çështja e pandemisë së koronavirusit dhe rimëkëmbja ekonomike, kanë qenë premtime gjatë fushatës zgjedhore të kryeministrit të ri, Kurti, për të cilat është thënë se do të trajtohen me prioritet nga qeveria e tij.
Ai ka thënë se brenda vitit do të vaksinohet 60 për qind e popullatës, ndërkaq që për rimëkëmbjen e ekonomisë do të ketë një intervenim ambicioz fiskal./rel/