Qeveria e Serbisë në seancën e sotme të jashtëzakonshme e shpalli 27 shtator 2023, ditë zie lidhur me ngjarjet e fundit në Kosovë, ku gjatë një sulmi terrorist ndaj Policisë së Kosovës, u vranë disa terroristë serbë.
Më tej qeveria serbe ka kërkuar nga mediat serbë që programet e tyre t’ia kushtojnë ditës së zisë.
“Qeveria e Serbisë kërkon nga të gjitha mediat dhe organizatorët e ngjarjeve publike që programin e tyre ta përshtatin ditën e zisë të mërkurën, më 27 shtator, dhe në këtë mënyrë t’i respektojmë viktimat në Kosovë”. thuhet në njoftimin e Qeveria e Serbisë.
Ndërsa dhe Lista Serbe ka shpallë ditë tri ditë zie në Kosovë.
Në një njoftim zyrtar, Lista Serbe ka shpallur ditët 26, 27 dhe 28 shtator si “Ditë Zie” për vdekjen e tre terroristëve serbë të cilët u vranë në Banjskë pasi sulmuan Policinë e Kosovës.
Nëpërmjet një postimi në Facebook, Lista Serbe e ka quajtur ngjarjen tragjike.
Sipas njoftimit të tyre, në shenjë respekti dhe ngushëllimi për serbët e vrarë dhe familjet e tyre, në veri të gjitha “ngjarjet argëtuese të organizuara nga organet dhe institucionet e vetëqeverisjes lokale do të anulohen”.
“Në emër të Listës Serbe dhe popullit serb nga Kosova.M, u shprehim ngushëllimet më të thella familjeve të viktimave, ndërsa të lënduarve u urojmë shërim të shpejtë”, ka thënë Lista Serbe.