Derisa Qeveria e Kosovës po e konsideron të suksesshëm vitin e parë qeverisës, duke thënë se kanë përmbushur të gjitha prioritetet që i kanë vendosur për vitin 2021, nga opozita ndajnë një mendim krejt të ndryshëm.
Në ekzekutiv thonë se në nëntë muajt e parë të pushtetit kanë menaxhuar suksesshëm pandeminë dhe vaksinimin ndaj COVID-19, duke përmendur edhe ringjalljen ekonomike e procedimin e 119 projektligjeve në Kuvend. Ndërsa, opozita thotë se Qeveria me në krye Albin Kurtin, është treguar e paaftë në menaxhim gjatë vitit 2021.
Ndërkohë, shoqëria civile e vlerëson vendimmarrjen e madhe të ekzekutivit, por thonë se s’ka një prapavijë kualitative për të parë ndikimin e tyre.
Zëdhënësi i Qeverisë së Kosovës, Përparim Kryeziu, thotë për KSP se puna e ekzekutivit duhet të vlerësohet në bazë të prioriteteve që i kanë listuar në programin qeverisës. Ai thekson se deri tani kanë mbajtur 53 mbledhje, ku janë marrë 489 vendime dhe janë miratuar 119 projektligje.
“Në prioritetin e menaxhimit të pandemisë, vlerësoj se Qeveria e Kosovës ka bërë një punë të jashtëzakonshme në menaxhimin e saj për faktin se Kosova sot ka numrin më të vogël të rasteve të reja, numrin më të vogël të vdekjeve, sidomos në krahasim me rajonin. Të njëjtën kohë ka përqindjen më të lartë të vaksinimit. Sa i përket ringjalljes ekonomike është evidente që Kosova po shënon një rritje të padëshmuar më herët ekonomike. Një rritje dyshifrore e cila po përcillet me rritje të eksportit, rritje të të hyrave doganore dhe të inkasuar nga ATK-ja”, thotë ai.
Ndërsa, deputeti i Partisë Demokratike të Kosovës, Ferat Shala, ndryshe nga konstatimet e Qeverisë, ngreh dyshime për paaftësinë menaxheriale të ekzekutivit.
“Në realitet nuk ka përmbushje të asnjë premtimi që ka dhënë, qoftë në vijë partiake apo zyrtare politike si qeveri. Nuk kemi përmbushje as të projekteve legjislative, do të thotë as në programin legjislativ dhe ekzekutiv. E kemi një situatë jo të mirë, shto kësaj edhe faktorë të tjerë ndikues që vendin e kanë rënduar, si kriza globale e energjisë dhe pandemia. Vërtet jemi të shqetësuar për nivelin e papërgjegjësisë dhe papërgatitjes menaxhuese që ka kjo qeveri”, u shpreh Shala.
Kritikat për mungesë vendimmarrjeje, sa i përket temave të mëdha si dialogu dhe liberalizimi i vizave, zëdhënësi i Qeverisë thotë se të njëjtat nuk varen prej ekzekutivit.
“Temat e mëdha sikur liberalizimi i vizave nuk është e gjitha në vendimmarrjen e qeverisë, por çka varet prej qeverisë është të dëshmojë se është serioze në luftimin e krimit dhe korrupsionit. Në të njëjtën kohë të dëshmojë vullnetin e saj politik në reformën e sistemit të drejtësisë. Me këtë rast edhe këtë e ka dëshmuar përmes avancimit të kornizës ligjore aktuale dhe tashmë votimi i koncept-dokumentit për procesin e vetingut”.
“Dialogu është një prej atyre proceseve që nuk varet i gjithi nga angazhimi dhe vullneti i qeverisë. Qeveria e ka treguar edhe gatishmërinë, por edhe trajtimin serioz që i bënë kësaj teme duke qenë e prerë dhe qartë në qëndrime”, shton ai.
Ndërkaq, Erblin Hoxha nga Lëvizja FOL thotë se ekzekutivi në vitin e parë ka pasur mungesë të konsolidimit dhe funksionalizimit të qeverisë.
“Kemi pa se Qeveria ka marrë vendime jashtëzakonisht të shumta në mbledhjet e tyre, ato jo domosdo janë të lidhura me planin e punës, pasi ka çështje që dalin aty për aty. Në atë aspekt dhe nëse shohim në numra, del se është një numër jashtëzakonisht i madh i vendimeve, por të cilat nuk e kanë një prapavijë kualitative se cili ka qenë ndikimi i atyre vendimeve, por në sasi ka qenë një numër jashtëzakonisht i madh i vendimeve që janë marrë nga qeveria në këto dhjetë muaj”, deklaroi ai.
“Ende kemi një kohë kur pandemia dominon edhe politikën e qeverisë, por edhe të ministrive përkatëse. Në këtë rast kemi pa se qeveria ka marrë jashtëzakonisht një numër të madh të vendimeve në këtë aspekt. Ndërsa sa i përket dinamikës së përgjithshme, duhet të kuptojmë se është një qeverisje e re dhe deri në këtë moment që po flasim ende në disa pozita ende nuk janë plotësuar dhe është nevoja për staf të ri. Kjo na tregon se nuk është një konsolidim i plotë i qeverisë, ku kemi kritikat tona në mosfunksionalizimin e qeverisë brenda kësaj periudhe”, thotë ai.