Pengesa që Serbia i ka bërë Kosovës për mos anëtarësim në Interpol ka nxitur qeverinë e Kosovës që ta rris masën mbrojtëse ndaj produkteve serbe, duke e çuar atë nga 10 për qind sa ishte deri tani, në 100 për qind.
Në mbledhjen e sotme qeveria Haradinaj ka marrë vendim që ta rris në 100 për qind masën mbrojtëse ndaj mallrave me origjinë nga Serbia, shkruan gazetametro.net.
Qeveria e Kosovës ka ndryshuar vendimin e MTI-së me të cilin më 6 nëntor të këtij viti vendosi masën mbrojtëse 10% për produktet e importuara nga Serbia dhe Bosnje e Hecergovina.
Ndërsa, në Kosovë nuk do të lejohet të futet asnjë produkt që mban etiketën ‘Kosova dhe Metohija’
“Nga sot ti vendoset masa 100% për produktet me origjinë nga Serbia. Si dhe të largojnë nga tregu e mos te lejojnë hyrjen në treg me etiketën ‘Kosova dhe Metohija”.
“Ky vendim hyn në fuqi menjëherë dhe obligohen institucionet ta zbatojnë menjëherë”, ka thënë kryeministri Haradinaj në mbledhjen e Qeverisë së Kosovës.
Vendimi ka ardhur me propozim të ministrit të Tregtisë dhe Industrisë, Endrit Shala, i cili ka propozuar ndërrimin e masës nga 10, në 100 për qind për produktet që vijnë nga Serbia dhe Bosnja e Hercegovina.
Shala në mbledhje të Qeverisë e ka arsyetuar vendimin, duke dhënë shkaqet që duhet të merret ky vendim.
Shala ka thënë se pas një analize që është bërë nga departamenti i Tregtisë, ka ardhur një propozim i tillë.
“Duke marr për bazë analizat profesionale të Departamentit të Tregtisë, të MTI-së, më lejoni që të propozoj këtë propozim vendim dhe të kërkoj nga ana juaj miratim në këtë mbledhje të qeverisë. Siç e dini prodhuesit kosovar ballafaqohen me barriera të ndryshme jo tarifore në Serbi, produktet e të cilëve nuk mund të hyjnë në tregun e Serbisë. Autoritetet serbe nuk i njohin analizat e importuesve kosovar dhe gjithashtu ata kërkojnë rivlerësim të mallrave të Kosovës.
“Për më tepër çështja e transitit, mbetet ende një pengesë shumë serioze për kompanitë e Kosovës, ndërsa importohet nëpër vendet e BE-së dhe kalon nëpër territorin serb. Sa i përket barrierave tregtare me Bosnjën janë po të njëjtat, si ato me Serbinë. Shkëmbimet tregtare në mes Kosovës dhe Bosnjës tregojnë qartë se importet po rriten vazhdimisht në krahasim me eksportet. Për më tepër ka një asimetri të madhe sa i përket ofertave publike, ku kompanitë e Kosovës nuk mund të konkurrojnë ligjërisht në ofertat publike në Serbi. Në anën tjetër ka më shumë se 100 oferta publike që kompanitë serbe kanë fituar në Kosovë. Problemet tjera ka shumë. Kosova nuk mund ta zhvillojë industrinë e saj të transportit dhe humb qindra vende pune, sepse kamionët e Kosovës nuk lejohen ta përdorin Serbinë si vend transit për në tregun e BE-së”.
“Për më tepër këto probleme vetëm rriten kur ja shtojmë edhe problemet që ne i kemi politike me këto dy shtete. Qeveria e Kosovës, por edhe ne si ministri jemi të angazhuar që të punojmë çdo ditë në përmirësimin e raporteve me të gjithë fqinjët, pa marrë parasysh ku, mirëpo këto raporte dhe marrëdhënie nuk mund të përmirësohen kur Republika e Kosovës nuk trajtohet si shtet dhe në mënyrë të barabartë. Askush nuk mund të kërkojë që të shes produktet e tyre në tregun tonë dhe të ndalojë produktet tona të shiten në tregun e tyre. Kjo është një marrëdhënie reciproke e të cilën ne me këmbëngulje kërkojmë që ta respektojmë. Duke u bazuar në këto që thash më lartë, të nderuar koleg kërkoj nga ana juaj të miratoni propozimin që e keni marr me kohë”, ka thënë Ministri Shala.