Qeveria e udhëhequr nga Albin Kurti duhet që ta formojë Asociacionin e komunave ngase është obligim ndërkombëtar, madje marrëveshja është ratifikuar në Kuvend, vlerësojnë ekspertët e rrethanave politike.
Ndonëse thonë se nuk ka indikacion për rrëzimin e Qeverisë, ata thonë se kjo mund të ketë ndikim që vendi të shkojë në zgjedhje, nëse kushtëzohet.
Profesori universitar, Milazim Krasniqi në një intervistë për Ekonomia Online ka thënë se Qeveria mund të rrëzojë veten, por indikatorë dhe shkaqe për ta rrëzuar Qeverinë nuk ka.
Tutje, Krasniqi tha se Asociacioni duhet të formohet, por thotë se edhe formimi duhet të bëhet në bazë të gjetjeve të Kushtetueses duke eliminuar çdo element që mund të asociacionet në ndonjë lloj pushteti ekzekutiv.
“Unë besoj që Qeveria nuk ka arsye të rrëzohet për shkak të dialogut sepse Qeveria jonë ka shumicë në parlament dhe e ka përkrahjen e opozitës për dialogun dhe e ka përkrahjen që të lëvizë drejt marrëveshjes finale. Qeveria mund të rrëzojë veten, por indikatorë dhe shkaqe për ta rrëzuar Qeverinë nuk ka. Unë besoj që Asociacioni duhet të formohet sepse është obligim ndërkombëtar të cilin Kosova e ka marrë me ratifikimin e marrëveshjes në Parlament”.
“Bashkësia duhet të formohet në pajtim me gjetjet e Gjykatës Kushtetuese duke eliminuar çdo element që mund të asociacionet në ndonjë lloj pushteti ekzekutiv. Unë jam i bindur që Qeveria duhet të marrë ofenzivë diplomatike në atë kuptimin që të hartojë draftin e një statuti dhe të mos ia lë iniciativën Serbisë. Problemi i serbëve nuk mund të zgjidhet me njësi policore, dhe nuk mund të zgjidhet pa një marrëveshje. Plani i Ahtisari po edhe marrëveshja e Brukselit ka paraparë formimin e komunave me shumicë serbe”, tha Krasniqi.
Ndërsa, analisti Politik, Arbnor Sadiku në një intervistë për Ekonomia Online ka thënë se nëse Qeverinë Kurti, deri në vjeshtën e vitit 2022 nuk do të ketë gati një draft statuti për Asociacionin e komunave me shumicë serbe, Kosova do ta humb komunitetin ndërkombëtar.
Ndryshe, ai tha se ose do të themelohet Asociacioni, ose Kosova do të shkojë në zgjedhje të reja.
“Sigurisht që Qeveria e Kosovës do t’i ketë edhe perkusionet e saj. Së pari do të ketë tentime nga Qeveria Amerikane dhe BE-ja për sanksione ekonomike dhe politike. Kjo nënkupton, sidomos për Qeverinë Kurti, që nëse deri në vjeshtën e vitit 2022 nuk do të ketë themelim të një draft statuti për Asociaconin e komunave me shumicë serbe dhe zbatim të marrëveshjeve ndërkombëtare të nënshkruara në Bruksel, do ta humbnin komunitetin ndërkombëtar dhe nuk do t’i ofrojnë mbështetje e as takime me burrështetasit evropianë dhe të ShBA-së”.
“Kjo nënkupton që do të izolohet ndërkombëtarisht dhe do ta humbasë legalitetin dhe legjitimitetin ndërkombëtar për të qëndruar më tej në krye të Qeverisë, zoti Kurti dhe Lëvizja Vetëvendosje. Kësisoj mund të shkojmë në zgjedhje të reja, ku pastaj mund të kemi një koalicion LDK-PDK për ta kryer dialogun me Serbinë dhe për të arritur një marrëveshje ne 2-3 vjetët e ardhshme”.
Sipas tij, kjo nuk i konvenon Kosovës, sepse sa më shpejt që arrihet një marrëveshje finale me Serbinë është në interesin e saj gjeopolitik.
“Ose do të themelohet Asociacioni, ose do të kemi zgjedhje të ardhshme. Kjo nuk i konvenon Kosovës, sepse për Kosovën sa më shpejt që arrihet një marrëveshje finale me Serbinë është në interesin e saj sepse situatat gjeopolitike dhe gjeostrategjike në Evropë dhe botë janë në favor të Kosovës pasi që kemi dëmtimin e imazhit ndërkombëtar të Rusisë, aleatit kryesor të Serbisë. Në anën tjetër, sa më shumë që prolongohet arritja e marrëveshjes është në favorin e Serbisë”.
“Nuk mund të kemi një datë të saktë, të themi këtë vit apo vitin tjetër, por sa më shpejt që arrihet një marrëveshje është në të mirën e qytetarëve të Kosovës sepse Kosova nuk do ta ketë nënshtetësinë e kontestuar dhe do të anëtarësohet në organizatat ndërkombëtare. Kësisoj do të rrumbullakosej shtetësia e Kosovës, në anën tjetër Serbia shkon drejt Unionit Evropian dhe fiton statutin e kandidatit dhe është një hap para anëtarësimit në Bashkimin Evropian”, tha Sadiku.