Qeveria e Republikës së Kosovës me në krye Avdullah Hotin, ka njoftuar se ka miratuar propozimet e Ministrisë së Shëndetësisë lidhur me pandeminë COVID-19.
Me kërkesë të Ministrisë së Shëndetësisë, Qeveria e Republikës së Kosovës, ka bërë të ditur se ka miratuar vendimin për shfuqizimin e pikave të vendimit të Qeverisë të datës 31 maj 2020, në të cilat është përcaktuar që:
– Të gjithë personat që hyjnë në territorin e Republikës së Kosovës, dhe kanë në posedim rezultatin negativ të testit për COVID-19, jo më të vjetër se 4 ditë, nuk ju nënshtrohen procedurave të vetizolimit;
– Ata që nuk kanë testin, detyrohen të vetizolohen për 7 ditë;
– Qytetarët që manifestojnë shenja klinike udhëzohen nga profesionistët shëndetësorë në pikat kufitare; dhe
– Deri më datën 20 qershor do të bëhet rivlerësimi i situatës epidemiologjike dhe me këtë do të reflektohen masa të reja lidhur me pikat kufitare dhe hyrjen e qytetarëve në Republikën e Kosovës.
Në njoftimin e Qeverisë thuhet se mbetet në fuqi pika e vendimit sipas të cilës është përcaktuar që të gjithë personat që hyjnë në territorin e Republikës së Kosovës, obligohen t’i nënshtrohen kontrolleve të ekipeve mjekësore të QKMF’ve (Qendrave kryesore të mjekësisë familjare) në pikat kufitare dhe t’i zbatojnë masat mbrojtëse kundër COVID19.
Deri më 12 qershor 2020, Ministria e Shëndetësisë miraton Manualin për Mbrojtje nga përhapja e virusit COVID-19, ku specifikohen të gjitha detajet për mënyrën e organizimit të punës në të gjitha bizneset private, ndërmarrjet publike, në institucionet publike dhe çdo veprimtari tjetër.
Po ashtu, Qeveri e Kosovës ka autorizuar Ministrinë e Shëndetësisë që në pajtim me Ligjin të nisë procedurat e rekrutimit të dyqind specialistëve shëndetësorë që do të mbikëqyrin zbatimin e Manualit nga ky vendim.