Sot është miratuar buxheti i Kosovës për vitin 2022 në shumë prej 2 miliardë e 748 milionë euro.
Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka bërë të ditur se qeveria të cilën ai e udhëheq, për herë të parë ka ndarë një buxhet prej 100 milionë euro për ushtrinë ndërsa 10 milionë euro të tjera për furnizimin me pajisje moderne për policinë e zjarrfikësit.
“Ushtrinë e kemi projektin tonë madhor, andaj për herë të parë kemi ndarë buxhet prej 100 milionë euro apo 1.3 përqind të bruto produktit vendor e synimi ynë është që këtë ta sjellim në 2 përqind të bruto produktit vendor”.
“Nga kursimet në paga që ka bërë menaxhmenti i ri AKP-së, na është mundësuar që ato mjete t’i riorientojmë në ushtri e si rezultat do t’i rekrutojmë 840 ushtarë të rinj”, është shprehur Kurti në mbledhjen e qeverisë, njofton Klankosova.tv.
Tutje, i pari i qeverisë bëri të ditur se me buxhetin e ri do të filloj ndërtimi i 50 çerdheve, ashtu që sipas tij, fëmijët të kenë kujdesin e duhur e gratë të integrohen në tregun e punës.
Më poshtë mund t’i gjeni të gjitha planet e investimeve të Qeverisë së Kosovës të prezantuar sot nga Kurti:
“Janë ndarë 45 milionë euro për të mbështetur nënat për pagesat për lehonat dhe për shtesat për fëmijë.
Kemi bërë studimet falas për të gjithë studentët dhe do të ndajmë edhe 2 mijë bursa shtesë për më të mirët.
Do të mbështesim shkencën dhe hulumtimin.
Kemi shtuar 35 milionë euro te pensionet dhe skemat sociale, ashtu që asnjë pension të mos jetë nën 100 euro dhe skemat sociale prej 30 përqind të bëhet e përhershme.
Kemi shtuar 24 milionë euro shtesë për sigurimin e barnave esenciale.
Do të nisim ndërtimin e rrugës Prizren – Tetovë, që do të bashkojë të dy qytetet.
Për herë të parë kemi buxhetuar mbështetje për Luginën e Preshevës në shumë prej 2 milionë euro.
Kemi ndarë 50 milionë euro për borxhet e shpronësimeve të trashëguara në mënyrë që të kryhen rrugët që tashmë janë në proces për sa e sa vite.
Kemi ndarë buxhetin dhe do të fillojmë projektin e banimit social e të përballueshëm, sapo të përfundoj studimi i fizibilitetit në pranverën që vjen.
Kemi ndarë 20 milionë euro për skemën e punësimit të garantuar për të rinjt dhe do të mbështesim bizneset Start Up dhe ato në teknologji të informacionit.
Kemi rritur buxhetin për kulturën e sportin dhe për trashëgimi kulturore.
Për herë të parë kemi ndarë 10 milionë euro për blerjen e ambasadave në shtete aleate.
Kemi rritur buxhetin për bujqësi në mbi 70 milionë euro, për herë të parë.
Prodhuesit vendorë do t’i mbështesim me 40 milionë euro për të zgjeruar kapacitetet, për të rritur cilesinë dhe për të gjetur tregje për eksport.
40 milionë euro të tjera i kemi ndarë për të financuar financimetet në Trepçë e Telekom ashtu që këto asete të kthehen në gjenerues të mirëqenies.
Do të furnizojmë policinë dhe zjarrfikësit me pajisje moderne, për këtë kemi ndarë 10 milionë euro.
Ushtrinë e kemi projektin tonë madhor, andaj për herë të parë kemi ndarë buxhet prej 100 milionë euro apo 1.3 përqind të bruto produktit vendor e synimi ynë është që këtë ta sjellim në 2 përqind të bruto produktit vendor.
Nga kursimet në paga që ka bërë menaxhmenti i ri AKP-së, na është mundësuar që ato mjete t’i riorientojmë në ushtri e si rezultat do t’i rekrutojmë 840 ushtarë të rinj”.
Më tej, Kurti tha se këto investime janë bërë të mundura në vetëm 7 muaj qeverisje.
Miratohet buxheti prej 2,748,000,000 për vitin 2022
“Tash mund të vërehet se sa ka vuajtur shteti ynë për një qeverisje që nuk vjedh e nuk abuzon me paranë publike”, është shprehur Kurti, njofton Klankosova.tv.