Qeveria e Kosovës ka prezantuar masën 1.2 për zbutjen e ndikimit të menjëhershëm socio-ekonomik të krizës energjetike përmes mbështetjes shtesë të njëhershme për blerjen e lëndës djegëse për ngrohje gjatë dimrit për familjet përfituese të asistencës sociale.
Kryeministri i vendit Albin Kurti, gjatë fjalës së tha se për këtë masë janë ndarë 5 milionë euro.
Kjo u bë me mbështetjen e Bashkimit Evropian, tha Kurti.
Ministri i Financave, Hekuran Murati tha se synimi është të mbështeten grupet e cenueshme të shoqërisë.
Nga kjo masë do të përfitojnë familjet me mbështetje sociale. Murati bëri të ditur se nuk ka nevojë që të aplikohet, pasi Qendrat për Punë Sociale tashmë kanë listën e këtyre familjeve.
Ai tha se për secilën familje përfitimi është 120 euro, përfshirë edhe shtesën prej 30 euro për secilin anëtar.
Kështu, siç tha ai i bie që një familje 4-anëtarëshe të përfitojë shumën prej 240 euro.
“Kemi synuar të mbështesim ata që kanë më së shumti nevojë. Jemi munduar që përmes këtyre masave specifike të arrijmë tek qytetarët që kanë më së shumti nevojë. Kjo masë është e mbështetur nga BE-ja, nga pakoja energjetike emergjente e BE-së. Në tërësi janë janë 5 milionë euro të alokuara për këtë masë. Nuk ka nevojë për aplikim meqenëse, Qendrat për Punë Sociale tashmë kanë familjet që marrin mbështetje sociale. Për secilën familje përfitimi është 120 euro që është ekuivalent me dy metër kub aktualisht me çmimin e tregut, ndërkaq për çdo anëtarë është pjesa shtesë, që nënkupton se për çdo familje 4 anëtarëshe është 120 euro, plus 120 euro tjera, pra 30 për secilin anëtar, që i bie 240 euro.”, tha Murati. /Reporteri.net/