Të mërkurën e 7 majit Parlamenti Evropian miratoi rezolutën për Kosovën ku kërkohej që dialogu me Serbinë të përmbyllet me një marrëveshje gjithëpërfshirëse. Një marrëveshje ligjërisht obliguese, e bazuar në njohjen e ndërsjellë. Gjithashtu në dokument kërkohej edhe heqja e masave të Bashkimit Evropian ndaj Kosovës, pasi siç thuhej “Kosova i ka përmbushur kriteret”.
Lidhur me këtë, këshilltari i zëvendëskryeministrit në detyrë, Besnik Bislimit, Klisman Kadiu ka thënë për Gazetën Online Reporteri.net se qeveria mirëpret qëndrimin e PE-së, dhe se mbajtja në fuqi e këtyre masave ndaj Kosovës vazhdon të jetë e padrejtë, pasi “ato janë vendosur padrejtësisht”.
“E mirëpresim qëndrimin e shprehur nga Parlamenti Evropian në lidhje me masat ndaj Kosovës në raportin e tyre të fundit, ku kërkohet largimi i menjëhershëm i masave të Bashkimit Evropian ndaj vendit tonë. Kjo kërkesë i shtohet atyre paraprake të shumta nga vetë Parlamenti Evropian por edhe rekomandimit të ish-Përfaqësuesit të Lartë të BE-së Josep Borrel për largimin e tyre. Ritheksojmë se mbajtja në fuqi e masave ndëshkuese ndaj Kosovës mbetet e padrejtë. Ato duhet të hiqen sa më parë, gjersa u vendosën padrejtësisht, dhe po vazhdojnë të mbahen padrejtësisht”, tha Kadiu për Reporteri.net.
Në dokumentin e eurodeputetit Autori i draftit, eurodeputeti Riho Terras i cili është edhe autor i draftit, masat i ka konsideruar të padrejta dhe të panevojshme.
“Ne kërkojmë heqjen e menjëhershme të masave ndëshkuese të Bashkimit Evropian. Ato kanë qenë të padrejta dhe të panevojshme që nga fillimi. BE-ja financon shumë projekte dhe programe të dizajnuara për të mbështetur axhendën evropiane në Kosovë. Kjo është arsyeja pse duhet t’i shfuqizojmë masat dhe ta lëmë Kosovën të përparojë me fondet që ofrojmë”, tha mes tjerash të mërkurën Riho Terras, raportues për Kosovën në Parlamentin Evropian./Reporteri.net/