Qeveria e Kosovës ka në plan t’i hapë të gjitha linjat e udhëtimit ajror dhe tokësor, e madje t’i lejojë edhe tubimet publike.
Në mbledhjen e ekzekutivit që është paralajmëruar të mbahet sonte në orën 20:00, Ministria e Shëndetësisë do ta paraqesë për votim para Kabinetit Qeveritar një propozim-vendim, me të cilin shfuqizohen dy vendime të qeverisë paraprake që pezullonin të gjitha linjat e udhëtimit ajror dhe tokësor nga vendet me risk të lartë dhe të mesëm. Draft-vendimi që e ka siguruar KOHA përmban edhe një pikë, me të cilën shfuqizohet obligimi që aktivitet publike dhe jopublike të zhvillohen të mbyllura dhe pa praninë e publikut si, ngjarjet sportive, tubimet, konferencat, tryezat e rrumbullakëta e të tjera.
Megjithëkëtë, në draft-vendim theksohet se rifillimi i transportit ajror dhe hapja e aeroportit ndërkombëtar “Adem Jashari”, bëhet vetëm për vijat e rregullta të domosdoshme që kthehen brenda ditës, me masa të shtuara të sigurisë dhe shëndetit. Udhëtarët që hyjnë në Kosovës, sipas këtij dokumenti, rekomandohen të kenë testin RT-PCR negativ, jo më të vjetër se 4 ditë.
Nëse votohet nga Qeveria, vendimi do të hyjë në fuqi më 28 qershor.
Ministria e Shëndetësisë e ka propozuar hapjen e linjave të transportit ajror e tokësor, por edhe heqjen e kufizimit të organizimeve publike, pasi ka konsideruar se situata epidemiologjike në vend konsiderohet e menaxhueshme. E ka dhënë këtë arsyetim, pavarësisht faktit se në 10 ditët e fundit në Kosovë janë shënuar rekorde të zeza për kah numri i të infektuarve, të shtruarve në Infektivë dhe të vdekurve.