Oda Hoteliere dhe Turistike e Kosovës javën e kaluar paralajmëroi se gjatë kësaj jave do të hiqen kufizimet për bizneset hoteliere dhe turistike.
Kryetari i kësaj ode, Hysen Sogojeva në një prononcim për Telegrafin tha se sot në mbledhjen e Qeverisë pritet të merret vendimi për lejimin e funksionimit të hapësirave të mbyllura.
“Sot është mbledhja e Qeverisë dhe sipas informatave që kemi ata sot do të marrin vendim për lejimin e funksionimit të hapësirave të mbyllura. Por si do të jetë funksionimi i tyre nuk e dim, ne ua kemi dhënë manualin Qeverisë, ndoshta nuk do të jetë krejt ashtu siç kemi kërkuar ne por do t’i lejojnë të funksionojnë”, ka thënë Sogojeva.
I pyetur se a do të vlejë ky vendim edhe për sallat e dasmave, Sogojeva tha se për këtë vendimi do të merret pas dhjetë ditësh.
“Jo për sallat e dasmave nuk do të vlejë vendimi që pritet të merret sot. Ndoshta pas dhjetë ditësh do të ketë vendim edhe për këtë çështje”, u shpreh Sogojeva.
Sogojeva ditë më parë për Telegrafin kishte deklaruar se nuk është më e arsyeshme që edhe sallat e dasmave të bllokohen.
“Njëherit nuk ka arsye që edhe sallat e dasmave mi blloku. Në bazë të 1 metër katrore hyjnë edhe njerëzit. Shembull nëse është 40 metra katrorë hyjnë 20 veta diku, nëse është 100 metra katrorë rritet numri i njerëzve, kemi salla të dasmave që janë me 500 ose 600 metra katror, dhe me 50 veta mund ta mbajë një aheng mirëpo çdo herë duke respektuar rregullat”, kishte deklaruar Sogojeva.
Ndryshe, Qeveria e Kosovës sot në orën 15:00 do të mbajë mbledhjen e rregullt.