Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti ka pritur në takim të mërkurën të dërguarin e posaçëm të Shteteve të Bashkuara të Amerikës për Ballkanin Perëndimor, Gabriel Escobar dhe Përfaqësuesin e Posaçëm të Bashkimit Evropian për Dialogun Kosovë-Serbi, Miroslav Lajčák.
Zyra e Kryeministrit ka njoftuar se në takim është treguar vullneti dhe gatishmëria e Qeverisë për tu angazhuar në një dialog parimor dhe të përgatitur mirë drejt një marrëveshjeje që ka në qendër njohjen reciproke.
“Derisa marrëveshja duhet të ketë në qendër njohjen reciproke, deri te marrëveshja, reciprocitetit duhet të jetë fryma e dialogut”, thuhet ndër tjerash në njoftim.
Tutje, bëhet e ditur se Kurti ka falënderuar Escobarin dhe Lajçakun për angazhimin e tyre në shmangien e tensioneve “të krijuar artificialisht nga ana e Serbisë dhe në normalizimin e plotë të marrëdhënieve ndërmjet Republikës së Kosovës dhe Serbisë”.