Në ditën dhe mbrëmjen e djeshme, nga ora 16:00 kur u hap zyrtarisht pavijoni me 17 artistë bashkëkohorë e gjer në ora 23:00, Tregu i Gjelbër i Gjilanit në rinovim e funksionalizim e sipër, kishte marrë krejtësisht pamje, frymë dhe atmosferë tjetër.
Nën tingujt e muzikës elektronike nga DJ Tino Deep – me renome ndërkombëtare, qindra vizitorë pa u ndalur për asnjë çast, vinin e shkonin në pavijonin “Visual” nga Varg e Vi, për të parë piktura të shumëllojshmërisë tematike dhe stilistike, video-artet dhe ndonjë instalacion artistik. Nga një pazar mallrash e produktesh të ndryshme nga dhjetëra tregtarë të vegjël, Pazari i Vjetër u shndërrua në 17 minigaleri të pavijonit nga Varg e Vi.
Artistët bashkëkohorë pjesëmarrës në pavijon ishin: Altin Krasniqi, Arbnor Karaliti, Arjeta Bislimi, Artan Hajrullahu, Avdi Hajdari-Kame, Bekim Korça, Blerta Hashani, Brilant Milazimi, Endrit Nallbani, Ermir Zhinipotoku, Jakup Ferri, Kushtrim Sylejmani, Lumturie Krasniqi, Mimoza Sahiti, Petrit Maliqi, Renea Begolli dhe Valdrin Thaqi. Shumica e artistëve bashkëkohorë të pavijonit, që i takojnë një brezi të ri e të mesëm, kanë pasur pjesëmarrje në shumë ekspozita kolektive dhe personale, qoftë në nivel vendor, qoftë në nivel ndërkombëtar. Me veçanti, ishte sidomos Jakup Ferri, i cili si artist bashkëkohor, përfaqësoi Kosovën në këtë vit (2022) në Bienalen e Venedikut, sot një nga ngjarjet më të rëndësishme të artit pamor, i sjellë si artist dy herë në Gjilan nga Varg e Vi. Sidoqoftë, publiku u njoh me pikturën e madhe të veçantë të “skeletit – atletit në vrap e të mbushur në kofshë shumë seksi” të Milazimit, me videon “Natural” të Kames si “mishërim me natyrën dhe nudicitetin” dhe “të jetuarit pa presion, ku koha ecën më ngadalë”, me vizatimet e Hajrullahut që përshkruajnë rutinën, ruralitetin, naivitetin e qëllimshëm në vija, tezgën e gjatë të shitjes së shalqirit, paraqitjen e mezoburrit para pasqyrës, me veglat e rrojës mashkullore, si dhe paraqitjen e një zone urbane, të gjitha këto me tone sarkastike, minimaliste, kujtime fëmijërie dhe personazhe që të bëjnë të qeshni; me disa miniskulptura dhe instalacione të Korçës që tërheqin si fëmijët, si të rriturit për nga karakteri i tyre artistik; me “Tokën e punueshme” të Blerta Hashanit dhe “fijet e barit” në pikturë, me videon “Union” të Nallbanit, ku nga një përshëndetje duarsh në sfondin e zi e duar të bardha, kalon në duartrokitje prej “sllou moshën” në duartrokitje frenetike, të forta e të shpejta, që simbolizon antagonizmat në politikë e gjetiu; me Begollin që vjen me piktura që krijon vija të holla sikur iluzione optike, por që rrinë fuqishëm pashmërisht, në harmoni dhe të kombinuara estetikisht; me pikturat me trenat e veçantë me ngjyra të Sylejmanit, me videon tejet sarkastike e cinike të Ferrit se “mund të jesh artist edhe pa e ditur gjuhën angleze, nëse keni kreativitet dhe se arti nuk njeh gjuhë lokale a ndërkombëtare”; dy pikturat e mëdha të Maliqit, mistike, melankolike, kolorite, me portrete e personazhe që reagojnë në situata dhe gjendje të cenueshme njerëzore; me veprat e Bislimit, vepra që tërhoqën publikun për ngjyrat dhe mënyrat e veçanta të paraqitjes artistike; me pikturat unike të përdorimit të rrethit, dheut dhe ngjyra të jashtëzakonshme të hënës e thatësisë së tokës Lumturies; me pikturën e Altinit, ku një shitore e mbyllur nga migrimi lokal/i brendshëm dhe ai ndërkombëtar, e çelë një vepër artistike të murit të jashtëm të shtëpisë në fshat dhe me tre bllokat e kuq si instalacion i kombinuar me pikturën në galeri; me veprat e Zhinipotokut që përthekon tema në një mënyrë të veçantë artistike në piktura; me veprat e Thaqit që tërhoqën vizitorët me fuqinë ekspresive artistike; me veprat e Sahitit nën konceptin “Through hell is the safest way home” dhe me portretet e rralla në mimikë, paraqitje totale, të personazheve që krijoi Karaliti.
Çdo artist ka pasur galerinë e vet, në objektet e ndara e të ndërtuara të reja për tregtarët e Tregut të Gjelbër, që sipas ndërmarrjes “Tregu” do të funksionalizohet së shpejti. Artistët pjesëmarrës kanë ekspozuar kryesisht piktura, por edhe video dhe aty-këtu ndonjë instalacion i kombinuar në raste të rralla. Shumica e artistëve kanë pasur para galerisë, emrat dhe mbiemrat, dhe konceptet për veprat e ekspozuara, ose përshkrimin konceptual gjeneral për veprimtarinë e vet. Në hyrje të pavijonit, ka qenë baneri i madh me emrat e të gjithë artistëve pjesëmarrës dhe në anën e djathtë në A/4 letër fotografie ka qenë i shtypur koncepti i përgjithshëm kuratorial i pavijonit. Projekti “Vizual” është menaxhuar nga Avni Shkodra, me bashkëkoordinim të artistëve nga Brilant Milazimi, me kurator të pavijonit Din Azizin, me qëndisje të çdo teksti nga Avni Rudaku dhe me dizajn, fotografi e komunikim me publikun nga Migjen Fazliu, i mbështetur financiarisht me thirrjen publike nga Komuna e Gjilanit – Drejtoria për Kulturë, Rini dhe Sport dhe me lejen e shfrytëzimit njëditor e të përkohshëm nga Ndërmarrja “Tregu”.