Vështirë e përballueshme po vlerësohet nga qytetarët rritja e çmimeve të produkteve ushqimore. Situatë e pa pritshme është kjo edhe për Odën Ekonomike të Kosovës, e cila vlerëson se këtë vit do duhej të kishte stabilizim të çmimeve.
Në dy muajt e këtij viti, kanë lëvizur çmimet e produkteve ushqimore.
Rritja e tyre sipas Agjencisë së Statistikave, ka shkuar në 1.5%.
Kjo vlerë e rritjes ka ndikuar në shportat e konsumatorit.
Shtrenjtimi i produkteve ushqimore po prek në vazhdimësi ekonomitë familjare.
“Ushqimi është mirë mos me u rrit, se është i nevojshëm. S’ki qare pa u ushqu, s’ki qare pa hanger, as s’ki qare pa e ble. Unë kisha thanë me rrit çmimin e duhanit, alkoolit e benzinës, se po dalin me kerre lidhje e pa lidhje”, shprehet qytetari, Ragip Gashi.
“Për me përballu duhet me i pasë rezervat e mëhershme. Por, s’kemi më rezerva e po duhet që thojnë me lyp dikah. S’kemi, s’janë kushtet. N’vend që m’i hangër dy kafshata, duhet me hangër gjysë kafshate”, shprehet Kenan Çitaku.
E një qytetar tjetër thotë se dikush e përballon më lehtë, “dikush ka me tepericë edhe qet edhe poshtë”.
Jashtë pritshmërive të Odës Ekonomike është vazhdimi i trendit të rritjes.
Pasi sipas tyre me rënien e inflacionit edhe çmimet e produkteve ushqimore do duhej të stabilizoheshin.
“Padyshim që në ekonomitë familjare çdo rritje e çmimeve reflekton në uljen e parave që qytetarët i kanë në xhep. Fatkeqësisht, trendi i rritjes së çmimeve është duke vazhduar, edhe pse pritjet tona nuk janë këto, për shkak se rritjet e çmimeve kanë ardhë për shkak të inflacionit që e kemi importuar dhe e importojmë. Sepse me vet faktin që ne tani më shumë importojmë se sa eksportojmë, i bie që ne e importojmë edhe inflacionin, prandaj duke e importu inflacionin reflektohet në çmime”, thotë kryetari i Odës Ekonomike të Kosovës, Lulzim Rafuna.
Sipas ASK, inflacioni edhe përgjatë muajve të parë të vitit, ka shënuar rritje./teve1/