Qytetarët e Kosovës po vazhdojnë të pajisen me armë, ani pse për përdorimin e tyre nuk kanë leje të lëshuar nga organet kompetente.
Gati 30 persona konsiderohet se humbën jetën nga përdorimi i armëve pa leje në Kosovë për nëntë muaj të vitit 2018.
Aktualisht, mbajtja apo posedimi i paautorizuar i armëve të zjarrit në Kosovë përbën vepër penale dhe sanksionohet me ligj.
Nga Policia e Kosovës, është bërë e ditur se në kuadër të realizimit të detyrave të saja kushtetuese dhe ligjore nga ky institucion, gjatë nëntëmujorit të parë të vitit 2018 janë konfiskuar 953 armë të ndryshme.
Gjatë së njëjtës periudhë nga Policia e Kosovës janë konfiskuar edhe 10 mijë e 830 copë fishekë po ashtu të kalibrave të ndryshëm në tërë territorin e vendit.
Nëse krahasohet me vitin e kaluar, shihet një trend i njëjtë me numrin e armëve të konfiskuara më 2017.
Në periudhën në fjalë, u konfiskuan 1211 armë dhe 26 mijë e 178 copë fishekë.
Megjithatë, konsiderohet se në tërë territorin e Kosovës janë diku mbi 300 mijë armë ilegale.
Theksojmë, se duke e konsideruar si dukuri mjaft shqetësuese në regjion, ministri i Jashtëm, Behgjet Pacolli, kohë më parë kishte premtuar se Kosova do të bashkëpunojë me të gjitha shtetet fqinje me synimin e luftimit të zotërimit të paligjshëm të armëve.