Kujtimet nga rruga kryesore e qytetit
Gjilani dikur dhe sot – nëpër ngjyrat e kohës!
Në rrëfimin e radhës, kujtimet nga rruga kryesore e qytetit të Gjilanit, dr. Shevqeti na sjell episode interesante për jetën, duke rikthyer në kohën tonë mënyrën e të jetuarit, të punuarit, vendet pikante, me fotografi e fjalë…
Mos ik trëndafil, mos e harro Gilanin…, mos ik larg, nëse ik larg lëre polenin në sokakun tim, në vitin që vjen vendasit e mi të ndjejnë aromën tende…
Ah Gilan, Gilan, ah zaman, zaman…! Ah Gjilan, Gjilan, ah kohë o kohë…!
1.
…Isha fëmijë 5 vjeçar. – Në rrugën kryesore nuk kishte komunikacion, aty – këtu ndonjë fiqë e shtetit, shumë karroca të arabaxhinjve që bartnin çerpiq nga çerpiqhanja e qytetit. Numri i tyre ishte mbi tridhjetë. Asnjëri prej tyre nuk i kishte qerret me rrota gome. Murat Ballanca kishte qerren me kuaj, por pa kanata. Rrruga kryesore shtrihej nga dollapi i Bivollareviqëve te këndi i rrugës për Malishevë e deri te spitali i vjetër.
Rruga ishte me kalldërme, ende nuk kishte kubëza. Në anën e djathtë, aty te laku për Malishevë, ishin katër farkatarë (kovaq), njëri pranë tjetrit, i kishin buxhillat jashtë punëtorisë, ndërsa ne fëmijët të dieleve luanim me buxhillën. Afër ishte dollapi që drejtohej nga kali i verbër që sillej në hark, ndërsa punën e udhëhiqte HaliT Grainca. Më poshtë ishin bashqet e njohura të qytetit, ku gilanasit mbillnin patate, domate, speca, lakra. Përballë dollapit ishte drejtoria e ujësjellësit dhe shtëpia e Kurteshit. Mbi lumin Stanishorka ishte gaz-hanja. Flitej te gilanasit e vjeter se në gaz-hane ka një varr ku janë pushkatuar ata që kanë qenë kundër sistemit, me 1945.
Lumi Stanishorka e kishte ujin e pastër, ishte njëherit kufiri i qytetit, pas ishin Lkva dhe Derneku. Në Dernek u ndërtua kooperativa bujqesore “Mladost”. Në oborrin e saj deri me 1937 kishte qenë objekti dy katësh, ku gilanasit furnizoheshin me gas derisa Arsiqët nuk kishin filluar prodhimin e rrymës me avull nga makinat M.a.N. të Nyrnbergut dhe Ausburgut.
Ah Gilan, ah zaman…! Ah Gjilan, ah kohë…!
Përballë kovaqëve ishte shtëpia e pozharanlive që kishin plotë dele. Para shtëpisë ishin koritat ku vendosej ushqimi. Pozharalnlitë – xha Hamdi dhe Isaku kishin toka në drejtim të Malishevës, ndërsa Mehmeti jepte mësim nga daktilografia në Shkollen Ekonomike “Dragi Popoviq” në Gilan.
Afër Pozharanlive u ndërtuan dy objekte njëkatëshe për kuadro, ku një kohë kishte banuar dr. Jusuf Ismaili. Aty ku u ndërtua objekti i ri i baterive ishte dyqani i xha Nazifit nga Marevci, që ishte shitore ushqimore; shtëpia e Daut Saliqavës, që ishte kushëriri im, shtëpia e “Vitesit” problematik. Mbi shtëpinë e Dau Saliqavës ishin Karaçevët – Shukri Karaçeva mbante fes të zi, ishte orator me plot mesele, pranë tij ishte Haki Karaçeva, që bënte biznes me deviza dhe ari. Me 1980 e takova në Alepo të Sirise duke bërë tregti me ari në bezistanin e njohur të Alepos, ku, une me shokun, tim bëmë një marshutë turistike në Turqi dhe Siri.
Rruga filloi të shtrohet me kubëza, babai im, Ramushi, ishte kalldermxhi i njohur. Rruga me kalldrëmë u mbulua me kubëza deri te spitali i vjeter. Në vitet e 60-ta, në çdo hyrje të qytetit ishte gymrikhanja (vendtakse), ku fshatarët të shtuneve paguanin taksën për hyrje në treg.
Ditëve të rëndomta në qytet nuk kishte shumë njerëz, shumica punonin tokën, bashqet e veta te Gaz-hanja, në Lokva, te Dreneku , te parku.
Ah Gilan, ah kujtime nga rruga kryesore, nga rruga e çarshisë…
P.S. – Me kërkesën e lexuesve po i rikthehemi ribotimit të rrëfimeve të dr.Shevqetit për qytetin e Gjilanit dikur, si dhe botimin e shkrimeve e rrëfimeve të reja me rubrikën “Kthimi në kohë – Gjilani dikur dhe sot – nëpër ngjyrat e kohës!”.
/Autor i shkrimit: Dr. Shevqet Mehmeti/
/redaktoi për shtyp: N.Buzuku/ Arenapress.info/