Sot rreth orës 13:00 qyteti i Gjianit është tronditur nga një lajm i kobshëm, ish-policja e Kosovës, kishte vrarë me armë zyrtare nënën e saj, babain, dhe dy vëllezërit, dhe më pas edhe veten.
Shumë qytetarë të Gjilanit, janë tronditur nga lajmi për shuarjen e 5 anëtarëve të familjes Bllaca, Policia e Kosovës, Prokuroria kishin dhënë një verzion rreth kësaj tragjedije në Gjilan.
Zëdhënësi i Policisë në Gjilan, Ismet Hashani në një konferencë për media, tha se V.B. nuk ka qenë e suspenduar dhe se ka punuar në stacionin policor në Gjilan.
“Ka qenë police e stacionit policor të Gjilanit, police e Kosovës. Nuk ka qenë e suspenduar, për informata shtesë sigurt keni me u informuar”, tha ai.
Prokurori i rastit, Arben Kadriu tha se nuk kanë asnjë informacion për motivet e vrasjes.
“Dyshohet se një zyrtare policore në shtëpinë e saj ka vrarë nënën, babën dhe dy vëllezërit dhe pastaj veten. Ishte zyrtare policore aktive dhe dyshohet se ka përdorur armën zyrtare. Për të gjitha detajet tjera iu informojmë ndërkohë, sepse jemi duke e hetuar”, tha prokurori Kadriu.
Pas kësaj tragjedije ka reaguar edhe kryetari i komunës së Gjilanit, Lutfi Haziri ka thënë se tërë Gjilani është në ditë zie. “Është shuar një familje dhe kjo është tragjedia më e madhe që mund t’i ndodhë çdokujt. Familja Bllaca ka qenë familje e ndershme. Propozojë nga krerët e shtetit që ta shpallin një ditë zie në nderim të familjes Bllaca”.
Mjekësisë Ligjore i kanë nxjerrë trupat e pajetë të pesë anëtarëve të familjes Bllaca nga shtëpia e tyre, ku sot ka ndodhur rasti tragjik në Gjilan.